Drogë e cilësisë së lartë, në pranga dy furnizuesit shqiptarë

schedule19:21 - 16 Nëntor, 2018

schedule 19:21 - 16 Nëntor, 2018

Policia italiane ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë që furnizonin me drogë qytete të ndryshme të rajonit të Venetos. Autoritetet vendase kanë deklaruar se në këtë rast nuk bëhej fjalë për shpërndarës të thjeshtë rruge, por për grosistë të nivelit të lartë.

Furnizonin me drogë të cilësisë së lartë tregjet e konsumatorëve në qytetet Padova dhe Venecia. Shpërndanin heroinë dhe kokainë të pastër për klientë të niveleve të ndryshme, përfshirë ata të klasit të lartë. Dy grosistë shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane pas një hetimi të gjatë. Sipas mediave italiane, hetimet kishin nisur pasi agjentët e Kuesturës së Padovës kishin zbuluar disa linja trafiku në lokalitetin Arçela, të kontrolluara nga shtetasit shqiptarë që ishin rezidentë fiks në qytetin e Venetos.

Efektivët vunë menjëherë nën monitorim lëvizjet e tyre dhe kur i ndaluan u gjetën atyre në zotërim 1.7 kilogramë kokainë, që nga analizat e para rezultoi shumë e pastër. Menjëherë hetuesit krijuan bindjen se nuk bëhej fjalë për shpërndarës të thjeshtë rruge, por për grosistë të nivelit të lartë. Më pas, hetimet vijuan me kontrollin e një vendi të izoluar ku shtetasit shqiptarë ishin parë të ndalonin disa herë dhe me ndihmën e qenve të policisë arritën të gjenin mes barit dhe shkurreve 2 kilogramë heroinë e paketuar, si dhe mjete për ta peshuar.

Të arrestuarit janë shtetasit Ismet Nurja dhe Selion Kepi, përkatësisht 36 dhe 28 vjeç, me precedentë për shpërndarje droge dhe sulm ndaj pronës. Sipas autoriteteve, dy shqiptarët luanin një rol të rëndësishëm në tregun lokal të narkotikëve, pasi me sasitë e mëdha që kishin në zotërim jo vetëm ia shpërndanin ato përdoruesve, por furnizonin edhe figura të tjera të kriminalitetit vendas./abcnews.al