Kanabis me vlerë 113 mijë Paund gjeti policia britanike në një shtëpi në Derby më 21 Maj, ditën kur kreu një aksion dhe arrestoi një të ri shqiptar. 27-vjeçari Benard K. u kap brenda në fabrikë, ku u gjetën edhe dhjetëra rrënjë me drogë, si dhe një infrastrukturë e tërë për të siguruar rritjen e tyre. Mësohet se i riu e pranoi se punonte aty si kopshtar. Për këtë shkak, ai u dënua me 22 muaj burg nga gjykatës Jonathan Bennett.
“Ky operacion është zhvilluar për një kohë të konsiderueshme dhe ka qenë profesional. Kjo rritje e bimëve narkotike ishte e mjaftueshme për të prodhuar sasi të mëdha droge për përfitime. Ke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e operacionit”, tha gjykatësi përpara se të jepte vendimin.
Ndërkohë prokurorja Sarah Allen u shpreh se agjentët mësynë në fabrikën e drogës mëngjesin e 21 Majit. Ata zbuluan se Krrashi jetonte dhe flinte në një nga dhomat e banesës, ndërkohë që tre të tjera e deri te papafingoja ishin përshtatur për rritjen e kanabisit. Gjithsej u gjetën 152 rrënjë, vlera e të cilave mund të shkonte nga 12 mijë paund deri në 113 mijë.
Sipas Allen, Krrashi kishte 6 vjet që jetonte në Britani dhe kishte njohuri për rritjen e kanabisit nga jetesa në Shqipëri. Ai tha se paguhej rreth 5000-6000 Paund për çdo korrje. Avokatja mbrojtëse e tij tha se shqiptari ishte treguar “i hapur dhe i sinqertë” që nga momenti i ndalimit në banesë. Ajo tha gjithashtu se Krrashi ka firmosur dokumentet në burg që sapo të përfundojë dënimin të deportohet në Shqipëri.
“Ai pati një ofertë për të punuar si kopshtar kanabisi në Derby dhe e pa si mundësi për të bërë disa para. Jetonte në kushte të vështira. Nuk ka asnjë provë që Krrashi të jetë në krye të këtij operacioni”, tha ajo teksa mbronte shqiptarin në gjykatë./abcnews.al