Tre ushtarakët, Gramoz Mullai, Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda që u arrestuan mw 4 gusht për shpërdorim detyre pas zbulimit të 125 bimëve me kanabis brenda repartit në Zall Herr janë liruar nga qelia.
Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e tyre për caktim mase sigurise më të butë. Për ta u vendos arrest në shtëpi.
Më herët, në seancën për caktimin e masës së sigurisë në Shkallw të Parë, tre ushtarakët mohuan akuzën duke pretenduar se kanë vënë në dijeni eprorët për terrenin e vështirë dhe se nuk kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë 20 vite që punojnë si ushtarakë.
Sipas dwshmisw sw Gramoz Mullait, bimët narkotike brenda repartit në Zall Herr ishin zbuluar nga vetë ushtarakët rreth një muaj para se të zhvillohej operacioni i policisë. Referuar vendimit të zbardhur të Gjykatës që la fillimisht në burg tre ushtarakët, Mullai, shefi i zbulimit ka treguar se kontrolli i fundit në repart ishte kryer në datat 10 dhe 11 korrik.
Sipas tij, në vendin e quajtur “sipër liqeneve”, ata kanë konstatuar disa bimë narkotike. Më tej Mullai ka pohuar se bashkë me dy vartësit, Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda, kishin konstatuar cënim të rrethimit në shumë pjesë të repartit. Për këtë konstatim, Gramoz Mullai ka pretenduar se ia ka komunikuar me gojë kolonel Petrit Dajlanit, por nuk kishte mbajtur procesverbal për shkeljen e perimetrit.
Në gjendje të lirë po për shpërdorim detyre janë vënë në hetim 4 ushtarakë të tjerë, komandanti dhe zëvëndës komandanti i repartit si dhe një specialist i infrastrukturës bashkë me magazinerin e repartit.
Pas zbulimit të parcelës me kanabis në repartin e Zall Herrit, ministri i Mbrojtjes urdhëroi lirimin nga detyra të 4 ushtarakëve, si dhe propozimin për lirim të 10 të tjerëve./abcnews.al