Mario Vasilj, një mister që vjen nga Kroacia tek Apolonia. Sulmuesi është një nga futbollistët që i është bashkuar fierakëve, nga Dinamo e Zagrebit. Një lojtar me një të shkuar jo të ndritshme, madje me dritëhije që lidhen me Zdravko Mamic.
Ish-presidenti i Dinamo Zagreb, i dënuar me 6.5 vite burg për shpërdorim fondesh dhe evazion fiskal, ai është arratisur Bosnje Hercegovinë prej kohësh për të mos rënë në dorë të autoriteteve kroate. Mamic thuhet se është strehuar ne Villa Regina në Medjugorje.
Këtu hyn në lojë futbollisti i Apolonisë, i cili është djali i pronarit të këtij resorti, Jure Vasilj. Verën e vitit 2018 sulmuesi iu bashkua Dinamos së Zagrebit, pas një eksperience në ligën e tretë polake me KS Legionovia Legionowo.
Ky kapërcim u vu re menjëherë dhe akuzat ishin të shumta për drejtuesit e Dinamo Zagreb, madje u theksua se firma me Mario Vasilj është një provë e gjallë se klubi ende drejtohet nga Zdravko Mamic. Gjithsesi sulmuesi nuk luajti në asnjë moment me gjigantin kroat, pasi u huazua në ligën e dytë me Sesvete dhe më pas tek Inter Zapresic.
Tashmë për Vasilj kanë gjetur strehë tek Apolonia, edhe pse për herë të fundit figuron të ketë luajtur në vitin 2019. As te Dinamo Zagreb II nuk ka pasur hapësira për sulmuesin 26-vjeçar.
REPLIKAT – Shoqata e tifozëve të Dinamos, “Dinamo jemi Ne”, qershorin e vitit 2019 nuk i kurseu akuzat për drejtuesit e Dinamos pasi kishin firmosur me nipin e Mamic dhe me Vasilj. Në lidhje me këtë të fundit, në reagimin e bërë mes të tjerash shkruhet:
“Dinamo gjithashtu nënshkroi një kontratë të re dy-vjeçare me Mario Vasilj, i cili erdhi vitin e kaluar nga liga e katërt polake dhe u transferua menjëherë në huazim te Sesvete. Mario Vasilj është djali i pronarit të Villa Regina në Medjugorje, një hotel ku fshihet një burrë frikacak që u arratis për të shmangur burgun, për shkak të vendimit për vjedhjen e Dinamos.
Shoqata e anëtarëve të Dinamos, ‘Dinamo jemi ne’, shpreh frikë se kontrata të tilla financojnë qëndrimin e Zdravko Mamiç në mërgim”. Dinamo më pas nuk ngurroi të reagonte dhe të paralajmëronte shoqatën. Kresimir Antolic, anëtar i bordit drejtues të Dinamos, deklaronte:
“Kemi vendosur kohë më parë që nuk do të merremi me njoftimet e shoqatës fantazmë, që nuk pushon së gënjyeri dhe manipuluari, por sërish ne do të reagojmë. Sa i takon Mario Vasilj, ai ka ardhur te Dinamo si lojtar i lirë. Ai u huazua te Sesveta, duke luajtur 21 ndeshje dhe duke shënuar 7 gola.
Ne nuk u japim llogari atyre për vendimet tona të biznesit. U them atyre djemve të gjejnë ndonjë hobi tjetër, ose të presin procese gjyqësore në adresën e tyre. Madje do t’i fillojmë ato, sepse kjo duhet të ndalojë”. /abcnews.al