Dridhet toka në Bulqizë, banorët në panik: Kemi frikë nga tërmeti

schedule09:39 - 29 Tetor, 2021

schedule 09:39 - 29 Tetor, 2021

Bulqiza është goditur nga disa lëkundje sizmike prej ditës së djeshme dhe mëngjesin e sotëm. Goditja kryesore u regjistrua në orën 08:10, 4.5 Rihter, ndërsa para dhe pasgoditjet ishin me magnitudë më të vogël.

Për dëme materiale nuk raportohet, vetëm frikë dhe panik te banorët që kanë lënë shtëpitë të alarmuar nga goditjet e njëpasnjëshme. “Jemi të frikësuar. Dolëm nga shtëpia me shpejtësi” u shpreh një banor për Abcnews.al.

Në 24 orët e fundit vetëm në zonën e Bulqizës sipas IGJEUM-it, janë shënuar gjashtë lëkundje sizmike.

Për të mësuar më shumë, Abcnews.al kontaktoi sizmologun Rrapo Ormeni i cili u shpreh se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Kjo e sotmja duket se është një goditje kryesore. Tërmetet janë dy tipologji, goditja kryesore ka para dhe pas goditje. Shumica janë pasgoditje. Është tipi i tërmetit që është shoqëruar me paragoditje. Janë procese normale që ndodhin. Ky tërmet është normal, i vogël” tha ai.

Sizmologu qetësoi qytetarët kur tha se tërmeti i regjistruar sot në Bulqizë nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Durrës në 26 nëntor të 2 viteve më parë, tragjedia me 51 viktima. “Nuk ka lidhje. Është zonë tjetër nuk ka lidhje me zonën e Durrësit. Zona e Bulqizës është e dalluar, bie në cdo cdo vit një tërmet i kësaj madhësie”.

Muajin e fundit edhe Greqia është goditur nga disa tërmete të fuqishme, por sizmologu thotë se “Nuk ka lidhje, pasi Greqia është në pllakën e Egjeut, ne jemi me të Adriatikut”./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!