Drejtuesja e BKH-së në Komisionin e Ligjeve: Numri i hetuesve, i ulët. Kërkohen më shumë burime njerëzore

schedule11:33 - 22 Maj, 2024

schedule 11:33 - 22 Maj, 2024

Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj thotë se numri i hetuesve është i ulët. Duke folur para Komisionit të Ligjeve, ajo tha se tashmë është ngritur edhe zyra e përgjimit parandalues, e cila është bërë efektive në vitin 2024, por është e nevojshme që të ketë më shumë hetues.

“Aktualisht hetuesit e BKH janë 60. 1/3 e tyre janë caktuar në zyrën e përgjimit procedurial në SPAK me detyrë. I bie që pjesa tjetër të jetë në hetim me procedimet penale të prokurorisë. Por përveç hetimeve dhe veprimeve procedurale që hetuesit kryejnë që delegohen nga prokurorët e posaçëm, hetuesit kanë edhe një funksion tjetër, që është veprimi me isiativë. Hetuesit kanë filluar me isiativë disa çështje për të cilat kanë kryer verifikimet e para dhe kur kanë rezultuar elementë penalë, kanë bërë referime në SPAK.

Kjo ka treguar që numri i tyre nuk është i mjaftueshëm sa i përket numrit të hetuesve. Përveç kësaj, hetuesit kanë edhe detyrën e oficerit përgjegjës për të kontrolluar integritetin dhe pasurinë e drejtuesve, të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo ka bërë që ne akoma të mos e vëmë në zbatim këtë gjë. E para, për numrin e vogël të hetuesve dhe e dyta, fakti se në komisionin e ligjeve janë kërkuar disa ndryshime dhe jemi në pritje për ta vënë në funksion sic duhet këtë strukturë. Gjithashtu ligji për përgjimet elektronike ka sanksionuar që përveç zyrës së përgjimit procedurial në BKH duhet të ngrihet dhe zyra i përgjimit parandalues, që në 2024 është bërë efektiv por kërkon burime njerëzore që duhet të jenë hetues.”, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!