Drejtuesit në QSUT/ Fituesit mbahen peng nga Manastirliu dhe Shahini

schedule17:59 - 5 Shkurt, 2019

schedule 17:59 - 5 Shkurt, 2019

Shërbimet spitalore në QSUT po drejtohen nga shefa të jashtëligjshëm. Atyre ju ka mbaruar mandati, por Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ajo e Arsimit Besa Shahini nuk po firmosin shefat e rinj ndonëse procesi është mbyllur para dy muajsh.

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit nuk po marrin seriozisht zyrtarizimin e 41 drejtuesve të  shërbimeve në spitalin më të madh në vend.

Procesi i përzgjedhjes së tyre ka përfunduar që në muajin Nëntor të vitit të shkuar dhe tashmë bluzat e bardha e kanë mësuar se cilin mjek do të kenë në krye të shërbimit spitalor ku punojnë, por firmat e ministres Ogerta Manastirliu dhe Besa Shahini po mbajnë peng emrat e tyre.

Nuk dihet ende pse një proces kaq i thjeshtë po zvarritet prej rreth dy muajsh. ABC news pyeti në Ministrinë e Shëndetesisë dhe atë të Arsimit, por nuk mori përgjigje.  Mjekët jashtë kamerave thonë se ministritë me zvarritjen e publikimit të emrave po tentojnë të manipulojnë fituesit.

Ata tregojnë edhe se një pjesë e shefave të rinj nuk janë përzgjedhur me konkurs ashtu siç u paralajmërua, por janë emëruar në atë post. Madje disa prej kandidatëve për shef shërbimi kanë ankimuar në gjykatë emrin e përfolur si fitues ndonëse ai nuk është shpallur zyrtarisht.

Ndonëse procesi për të përzgjedhur drejtuesit e rinj të shërbimeve spitalore u zhvillua rreth tre vite me vonesë ai po vijon ende të zvarritet.  Kjo pasi dy ministret Manastirliu dhe Shahini që duhet të miratojnë listën fituese vijojnë të heshtin./abcnews.al