Drejtori Laçi: Tirana e do titullin në fushë! Play-off? Pranojmë çdo skenar

schedule09:29 - 19 Mars, 2020

schedule 09:29 - 19 Mars, 2020

Tirana kryeson kampionatin, e shkëputur me 9 pikë nga Kukësi i vendit të dytë. Bardheblutë synojnë rikthimin te titulli kampion dhe nëse ndodh këtë sezon është diçka speciale, pasi festojnë edhe 100 vjetorin e krijimit të Sport Klub Tirana. Momentalisht futbolli ka ndalur dhe këtë situatë e komenton edhe Drejtori Sportiv i Tiranës, Arbi Laçi, i cili shprehet se do donin ta fitonin titullin në fushë.

 

“Natyrisht që jemi në kushtet e një pandemie globale dhe mendimi i parë është që gjithçka të kalojë sa me shpejt dhe të rikthehet normaliteti në jetë. Më pas duam të rikthehet normaliteti edhe në futboll e të vijojmë të luajmë deri në fund, pasi jemi në vitin e 100-vjetorit dhe do të donim ta fitonim titullin në fushë, duke qenë se i kemi të gjitha mundësitë”, u shpreh Laçi në emisionin “Fan Zone” në Supersport 1.

Asnjë polemikë për ndalimin e kampionatit, edhe pse Tirana ishte në një formë shumë të mirë: “Është e vërtetë që po kalonim një moment të mirë, por në kushtet që u krijuan ishte e pamundur të vazhdohej. Ne e kuptojmë mirë që shëndeti i njerëzve është mbi gjithçka. Besoj se i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë të njëjtën paraqitje edhe kur të rikthehet normaliteti e të vijojnë ndeshjet”.

Laçi pyetet edhe nëse do të ishte dakord që të që të kishte një fazë “play-off” për titullin kampion: “Ashtu siç e thashë edhe më herët, ne duam që të rikthehet normalitetit dhe të përfundojmë kampionatin rregullisht, me shpresën që të festojmë edhe titullin. Ky është një rast i paprecedentë dhe si i tillë, mund të pranojmë çdo lloj opsioni që do të zgjidhet, pasi do të jetë i njëjtë për të gjithë, jo vetëm për Tiranën”.

 

Problemi tjetër janë kontratat, pasi ndodh që klubet tona të nënshkruajnë me futbollistët deri në fund të muajit maj. “Këtu te ne ka kontrata të ndryshme dhe natyrisht edhe nga ato që përfundojnë më herët, por po shohim mundësinë e një zgjatjeje të bashkëpunimit deri në përfundim të kampionatit, që do të shënjojë edhe fundin e sezonit. Mendoj se në këtë pikë duhet një zgjidhje më gjithëpërfshirëse, pasi nuk preket vetëm Tirana, por të gjithë klubet evropiane”, përfundon Laçi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!