Drejtori i FBI-së, Chris Wray paralajmëron dorëheqjen në fund të mandatit të Biden

schedule20:30 - 11 Dhjetor, 2024

schedule 20:30 - 11 Dhjetor, 2024

Drejtori i FBI Christopher Wray do të japë dorëheqjen në fund të administratës së presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Pas javësh mendimi të kujdesshëm, kam vendosur që gjëja e duhur për Byronë është që unë të shërbej deri në fund të administratës aktuale në janar dhe më pas të largohem. Qëllimi im është të mbaj fokusin në misionin tonë, sipas meje, kjo është mënyra më e mirë për të shmangur zvarritjen e Byrosë në debate të mëtejshme”.

Wray, i cili u emërua nga Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump dhe u konfirmua në gusht të vitit 2017, mbikëqyri agjencinë edhe gjatë hetimit e njeriut që e emëroi atë.

Si drejtor i FBI-së, Wray mbikëqyri hetimin për sulmin e 6 janarit në Kapitolin e SHBA nga një turmë pro-Trump, qindra raste të spiunazhit kinez, hetimet për dokumentet eklasifikuara të mbajtura nga Trump dhe presidenti Joe Biden si dhe mijëra hetime të tjera penale.

Kritikët republikanë kanë akuzuar FBI-në e Wray për ndërhyrje politike, mungesë transparence dhe mungesë reagimi ndaj Kongresit.

Drejtorët e FBI-së emërohen për periudha 10-vjeçare dhe mandati Wray nuk do të mbaronte deri në vitin 2027.

Trump ka zgjedhur Kash Patel për të zëvendësuar Wray në FBI.

Patel, i cili do të duhej të konfirmohet nga Senati i SHBA-së, nuk ka punuar kurrë në FBI dhe kaloi vetëm tre vjet në Departamentin e Drejtësisë më herët në karrierën e tij.

Nëse konfirmohet, ai është zotuar të mbyllë ndërtesën e selisë së FBI-së në Uashington dhe të ripërcaktojë në mënyrë drastike rolin e byrosë në lidhje me mbledhjen e inteligjencës./abcnews.al