Drejtoresha e AKU, Jeta Deda: Edukimi për sigurinë ushqimore fillon nga etiketa dhe që në shkolla

schedule14:30 - 22 Shtator, 2022

schedule 14:30 - 22 Shtator, 2022

Siguria ushqimore është kthyer në kryefjalën e ditëve të fundit, ndërkohë që AKU ka njoftuar për tërheqjen e disa produkteve nga tregu për shkak të përmbajtjes së baktereve të dëmshme për shëndetin e konsumatorit. Në një bisedë në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, drejtoresha e AKU Jeta Deda u shpreh që ‘është vetëm një sasi e vogël e produkteve të tërhequra nga tregu dhe bëhet fjalë vetëm për disa produktesh salsiçesh me djathë brenda, të cilat kanë pasur këtë lloj bakteri të evidentuar’ ndërkohë që produktet e tjera janë të sigurta për tu konsumuar nga konsumatorët.

Edhe më herët AKU ka njoftuar për produkte të çokollatës që rezultuan me Salmonelë, dhe sipas drejtoreshës së AKU Deda bëhej fjalë vetëm për një nënprodukt, dhe jo për të gjithë brandin. Sipas saj, produkti do të vazhdojë që të jetë në treg, dhe se bakteri i dëmshëm është verifikuar vetëm në një nga stabilimentet italiane, një sasi e vogël, e cila tashmë është tërhequr nga tregu. Vetë kompania ka qenë e interesuar për të njoftuar për problematikën që kishin vënë re në stabilimentin e tyre si dhe sistemi i AKU është i lidhur me një sistem raportimi europian, sistemin RASFF, i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me Komisionin Europian dhe institucionet e sigurisë ushqimore shqiptare njoftohen në kohë për të gjitha problematikat e verifikuara në tregun europian.

Gjatë bisedës në ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, drejtoresha e AKU Jeta Deda u shpreh që ka nisur një program kombëtar për edukimin e konsumatorit, në mënyrë që të mësojë të komunikojë edhe me vetë produktin, ku etiketa përbën elementin më të rëndësishëm. Së shpejti pritet që të nisë gjithashtu një program për evidentimin e të gjitha bizneseve që ofrojnë ushqime në shkolla, do ta fillojmë se pari me shkollat publike dhe private, dhe po i pikëzojmë këto biznese.

Për drejtoreshën e AKU Jeta Deda, ‘fakti që jemi treg i vogël, e menaxhojmë më mirë situatën, që të mos ketë përhapje si në vende me popullsi më të mëdha dhe nuk kemi të tilla emergjenca të vendosura’.

Mesazhi i fundit që përçoj drejtoresha e AKU kishte të bënte me kontrollin e imtësishëm të etiketave dhe të datave të skadencës dhe për ta përmirësuar më shumë këtë kulturë të sigurisë ushqimore pritet që në ditët në vazhdim AKU të ndërmarrë një program kombëtar edukimi. Ata pritet që të jenë më aktivë në median sociale, në atë dixhitale, në shkolla apo në vendet e punës, për të informuar konsumatorin për elementët përbërës të etiketës, datat e skandecës si dhe shkrimin në gjuhën shqipe të tyre. Për drejtoreshën e AKU, etiketat në gjuhën shqipe, duan të thonë që produktet i kanë kaluar të gjitha shkallët e kontrollit të agjencive shqiptare për sigurinë ushqimore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!