Drejtësia gjermane ndëshkon me 800 milionë euro gjobë Audin

schedule18:26 - 16 Tetor, 2018

schedule 18:26 - 16 Tetor, 2018

Hijet e skandalit vazhdojnë të mbulojnë industrinë gjermane të automjeteve. Marka prestigjoze “Audi” është dënuar nga drejtësia me 800 milionë euro gjobë për shkak se ka mashtruar me nivelin e gazit të emetuar.

Gjigandi i automjeteve “Audi” është gjobitur me 800 milionë euro në përfundim të një hetimi të prokurorëve gjermanë mbi respektimin e normave të emetimit të karburanteve. Marka prestigjoze e automjeteve, në pronësi të kompanisë mëmë “Volkswagen”, ka reaguar duke deklaruar se pranon gjobën dhe përgjegjësitë.

Në qershor, “Volkswagen” pranoi t’i paguante shtetit gjerman 1 miliard euro për shkak të skandalit të emetimeve që u zbulua në vitin 2015. “Audi”, një prej drejtuesve të të cilit ndodhet nën hetim për rastin e njohur si “dizel-gejt”, ka bërë me dije se mjetet të cilave u janë manipuluar normat e emetimeve janë prodhuar në periudhën 2004-2018.

Në një deklaratë për shtyp, kompania ka saktësuar se disa motorë të modeleve V6 dhe V8, të cilët funksionojnë përmes dizelit, u nxorrën në treg me softuer të palejueshëm.

Në vitin 2015, hetuesit amerikane zbuluan gjithashtu se disa makina të markës “Volkswagen” që funksiononin me dizel ishin pajisur me aparatura që manipulonin leximin e gazit të emetuar gjatë testeve të motorit, që bënin që niveli i oksidit të nitrogjenit të prodhuar të rezultonte i reduktuar. Më pas skandali u përhap në të gjithë industrinë e automjeteve, duke vënë në vështirësi jo vetëm “Volksëagen” dhe markat e tjera në vartësi të saj, por edhe prodhuesit e tjerë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!