“Dielli do të lindë përsëri!” Këto ishin fjalët që ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i tha kreut të PDK Memli Krasniqi, teksa ky i fundit e vizitoi në Hagë.
Krasniqi njoftoi se takoi Thaçin dhe ish kryetarin e kuvendit Kadri Veseli, të cilët prej disa vitesh po mbahen në dhomat e paraburgimit në Hagë, në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale.
Në një postim në rrjetet sociale Krasniqi tha se edhe këtë herë, në fjalët e ish krerëve të UÇK, gjeti bindjen se drejtësia po afrohet.
“Edhe këtë herë, në çdo fjalë të tyre, e ndjeva të gjallë bindjen e palëkundur se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet. Nuk mund të jetë ndryshe për ta dhe shokët e tyre, që mbi supet e veta bartën vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri. Liria, askund e asnjëherë, nuk është as mëkat e as faj. Ata janë mirë, optimistë dhe, si gjithmonë, dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush”, është shprehur Memli Krasniqi.
Kreu i PDK shtoi se ish krerët e UCCK besojnë në një të ardhme të ndritur për Kosovën, një të ardhme që ndërtohet me punë dhe vizion të pathyeshëm.
Në fund ai shprehu bindjen se koha do ta nxjerrë në dritë të vërtetën dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë.
Katër ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi për pesë vjet në paraburgim shpesh është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut nga veteranët në Kosovë.
/abcnews.al/

