Ismail Tasholli, organizator, “Liria ka emer” ka bërë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar më 17 shkurt në Prishtinë, në kuadër të një proteste për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Duke folur në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Tasholli deklaroi se Gjykata Speciale në Hagë ka humbur besueshmërinë e saj, duke e cilësuar atë si një institucion me prapavijë politike, mungesë transparence dhe elemente të qasjes totalitare në trajtimin e çështjeve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ai theksoi se protesta synon të evidentojë, sipas tij, padrejtësitë e kësaj gjykate dhe të kërkojë drejtësi, jo vendimmarrje politike.
“17 shkurti të jetë e Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët ngado që janë, janë të ftuar që të jenë në Prishtinë për të marrë pjesë për protestën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ajo gjykatë ka kohë që ka premisa politikë, që nga fakti se si ata kanë marrë vendimet. Raporti asimetrik se si është ndërtuar ndaj qytetarëve, që ajo gjykatë është e bunkerizuar dhe ka hequr bazën, transparencën. Ne si qytetari do të krijojmë mundësinë që të evidentojmë padrejtësinë dhe për t’i stopuar.
Mënyra aludive e fajit i ka vendosur në totaliratet. Gjykata është e rrethuar në dyshime. Mënyra se si janë trajtuar krerët e UÇK-së, na ka dhënë shenja që ata janë brenda habitatit totalitar. Asnjë qytetar nuk u frikësohet vendimeve totalitare. Gjykata e Hagës e ka humbur pikënisjen e saj. Kanë përdoru çdo gjë për të dhënë pretendime propagandistike. Drejtësi, jo politikë në datën 17 shkurt, në Prishtinë”, tha Tasholli.


