Brenda pranverës punimet në autostradën Tiranë –Elbasan pritet të përfundojnë. Ky aks i rëndësishëm ka kërkuar disa herë shtesa financimesh dhe punimet janë zvarritur prej vitesh.
Punimet për autostradën Tiranë-Elbasan janë drejt perfundimit. Zyrtarë të dikasterit përkates konfirmojnë se zvarritjet për këtë vepër infrastrukturore do marrin fund këtë pranverë.
Ministri i infrastrukturës Damian Gjiknuri tha: “Sot që flasim jemi në fazën e fundit të punimeve dhe jam i bindur se publiku brenda pranverës do të ketë rrugën të përfunduar dhe të dorëzuar me të gjitha parametrat e nevojshme. Është bërë një punë e madhe vitin e kaluar për të zgjidhur ngërçin dhe problemet juridike të trashëguara por mbi të gjitha për të siguruar financimin shtesë për përfundimin e kësaj vepre që mori më shumë kohë se çduhet për shkaqe që i kemi thënë dhe më parë: projektimi jo i mirë, mungesa e financimeve atëherë kur duhej përpos edhe problemeve tjera të trashëguara të menaxhimit të kontratës”.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri DHE Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendror inspektuan kantierin e hapur të rrugës Tiranë-Elbasan, në segmentin nga rrethrrotullimi i TEG drejt tunelit të Kërrabës.
Afrim Qendro drejtori i ARRSH: “Kanë ngelur edhe 6% e të gjithë volumit të përgjithshëm të punimeve për të përfunduar. Ka mbetur paketa e shtresave rrugore dhe ajo asfaltike bashkë me elementët e sigurisë rrugore. Pas sigurimit të financimit shtesë të muajit Shtator, ritmi i punimeve është i kënaqshëm dhe ne mendojmë se brenda grafikut të ri të punimeve kjo vepër të mbarojë që kjo pjesë e zvarritur prej shumë vitesh në ndërtim të përfundojë”.
Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan ka filluar prej kohësh, ndërsa në pranverën e 2013-ës u hap edhe tuneli i Kërrabës. Por që prej asaj kohe, perfundimi total i punimeve per kete rruge është shtyrë në mënyrë të vazhdueshme dhe janë miratuar disa herë fonde shtesë./abcnews.al/