Shumë shpejt segmenti rrugor nga Elbasani në Banjë do të jetë gati. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Drejtoresha e Autoriteti Rrugor Shqiptar inspektuan punimet që po kryhen në lotin numër tre.
Rreth 80 % e punimeve në segmentin rrugor nga Elbasani në Banjë kanë përfunduar. Inxhinieri i Autoritetit Rrugor Shqiptar i tregoi drejtoreshës së tij dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku ku kanë mbetur.
“Ky objekt përbëhet nga vepra arti të mëdha që është ky vijadukti me gjatësi 258 metra dhe ura e Sulovës me gjatësi 244 metra. Siç e shohim këtu punimet e nënstrukturës dhe të mbi strukturës deri në shtresën e asfaltit kanë përfunduar. Pjesa tjetër, nga ura e Sulovës deri në urën e Mollasit, ka përfunduar shtresa e binderittotalisht, mbeten pa u përfunduar vetëm shtresat asfaltike, shtresa asfalto-betonit edhe punimet e sinjalistikës dhe ndriçimit rrugor në zonat e banuara”.
1.3 miliardë lekë janë investuar nga buxheti i shtetit për të ndërtuar 8.5 kilometrat e kësaj rruge.
“Pjesë e ndërtimit do jenë ndërtimi i dy vijadukteve përgjatë gjithë këtij segmenti i cili lidh fshatin Gostinë me fshatin Mollas dhe ky është një investim të cilin kompania së fundmi është duke ecur me ritme të mira dhe ne pretendojmë që ta përfundojmë brenda afateve”.
Me përfundimin e punimeve banorët e shtatë fshatrave do të lidhen me njëri-tjetrin përmes një rruge me standarde.
“Shpresoj shumë që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt pasi është e rëndësishme në koneksionin që i bën shtatë komuniteteve nga Gostina deri në Mollas. Kemi shtatë fshatra të cilat lidhen dhe sigurisht kjo rrugë çon dhe në Kuçovë”.
Ndërtimi i këtij segmenti u shpreh ministrja Balluku është pjesë e strategjisë së qeverisë për të krijuar një rrjet rrugor i cili lidh në mënyrë më të shpejtë dhe më të shkurtër komunitetet. /ABC News Albania 24/7