Drama e mbrojtësit të Flamurtarit, një dëmtim i ndryshoi karrierën

schedule09:55 - 17 Prill, 2020

schedule 09:55 - 17 Prill, 2020

Lorik Maxhuni, mbrojtësi i djathtë dardan, ka provuar të aktivizohet edhe në Kategorinë Superiore me Flamurtarin. Tashmë ai luan në Kosovë dhe së fundmi ka rrëfyer një histori të së shkuarës, mjaft dramatike, madje që ia ndryshoi karrierën më tej. Një dëmtim i frikshëm që i mohoi një transferim dhe më pas zgjidhja ishte Kosova, ku edhe ai vazhdon të luajë me Flamurtarin  Prishtinën.

“Ishte viti 2011 dhe sapo kisha firmosur kontratë në Graz, në klubin GAK, ku në atë kohë trajner ka qenë Peter Stoger, i cili është shumë i njohur dhe ka udhëhequr edhe klube të Bundesliga, si Dortmund. Një ditë ai më ftoi në takim dhe më tha që ai po largohet në një klub tjetër në Superligën e Austrisë, SC Wiener Neustadt”, tregon Maxhuni për “Gazeta Blic” në Kosovë.

Mbrojtësi shton më tej: “Stoger më tha që kishte dëshirë të më transferonte edhe mua atje. Në atë kohë isha 18 vjeç dhe do stërvitesha me ekipin e parë, por do të luaja me ekipin e U21. Për mua ishte gjithçka në rregull. Në ndeshjen e fundit me GAK pësova një lëndim të tmerrshëm në kokë. Pas lëndimit më transferuan drejt në spitalin e Grazit, ku kam qëndruar tre ditë pa vetëdije.

Pastaj falë Zotit gjërat shkuan mirë dhe e kalova atë lëndim të tmerrshëm. Kisha marrë një tronditje në kokë dhe mjekët më thanë që duhet të pushoja 6 deri në 12 muaj prej aktiviteteve fizike. Kjo më ka dëmtuar shumë në karrierën time, por pastaj u ktheva në Kosovë, ku edhe tani vazhdoj të luaj. I lutem Zotit që asnjë të riut të mos i ndodhë një lëndim i tillë”, përfundon Maxhuni. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!