Drafti i plotë i MAS: Hiqen disa provime, si do të zhvillohet mësimi në shkolla gjatë pandemisë

schedule12:03 - 26 Gusht, 2020

schedule 12:03 - 26 Gusht, 2020

Pas udhëzimit teknik të Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e kushteve higjieno-sanitarë të zhvillimin e mësimit në kushtet e pandemisë, Ministria e Arsimit ka hartuar një draft-udhëzim për mënyrën se si do të bëhet mësimi duke filluar nga shtatori.

Siç mëson abcnews.al, udhëzimi pritet të miratohet dhe t’i shpërndahet shkollave më datë 1 shtator, ndërsa MAS duket se ka punuar në tre skenare për zhvillimin e mësimit.

Mësohet se gjatë këtij viti shkollor do të hiqen provimet në disa lëndë, kurse mësimi online do të zhvillohet pa nota.

QASJA SIPAS SKENAREVE

Skenari 1
Mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, nëse situata e pandemisë është e qendrueshme.

Në këtë rast është i mundur distancimi fizik dhe mësimi do të zhvillohet me një turn ku një orë mësimi do të zgjasë 45 minuta. Ndërkohë, sa i përket shkollave që kanë shumë nxënës mësimi do të bëhet me dy turne me nga 30 minuta mësim. Në rast se nuk mund të ruhet distanca mes nxënësve edhe pas ndarjes së tyre në 2 turne, atëherë shkolla do të jetë e hapur edhe gjatë pasdites. Pra, nxënësit do të zhvillojnë mësimin 4 nënturne, pra me dy nënturne brenda një turni.

Për turnin e parë

ndajnë çdo klasë në dy grupe:
-grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45;
-grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 11.00-13.45.

Për turnin e dytë
ndajnë çdo klasë në dy grupe:
-grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45;
-grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 17.00-19.45. Gjatë orëve të paradites do të bëjnë mësim klasat e ciklit fillor.

Ministria-mësuesve: Inkurajojini nxënësit

MAS thotë gjithashtu në draft se gjatë dy javëve të para të mësimit, mësuesit duhet që të fokusohen tek përsëritja e mësimeve të mëparshme për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi.

Gjithashtu, mësuesit këshillohen se për shkak të rrethanave të reja që janë krijuar, ata duhet të përqendrohen vetëm të arritjet e nxënësve duke ia nxjerrë atyre në pah.

Nxënësit duhet të angazhohen, por jo të mbingarkohen me teste“, shkruhet në draftin e ministrisë.

Nisur nga kjo, ministria ka parashikon që të mos ketë vlerësim për lëndët që zhvillohen online. Po ashtu, në lëndë si “Shoqëria dhe mjedisi”, “Art”, “Teknologji dhe TIK” apo “Edukim fizik”, nuk do të zhvillohen provime, por do të jepen vetëm detyra me shkrim ose me gojë në mënyrë që nxënësit të mos mbingarkohen me teste.

Skenari 2
Mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në shtëpi) duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do të ketë situatë të rënduar të pandemisë.

Sa i përket skenarit të dytë, ku nxënësit do të bëjnë një javë mësim në shtëpi dhe një javë në klasë, vlerësimi do të bëhet vetëm për mësimin e kryer në klasë.

Testimet dhe detyrat sugjerohet që të mos jenë të mbingarkuara, në mënyrë që nxënësit të mundet që t’i realizojë për kohën e qendrimit në klasë dhe jo gjatë qendrimit online“, sugjeron ministria duke shtuar se: Mësuesit duhet të bëjnë kujdes në lidhje me numrin e detyrave të portofolit lëndor duke shmangur ato lloj detyrash, të cilat nxisin vetëm riprodhimin dhe nuk ushqejnë të menduarin kritik duke krijuar mbingarkesë të panevojshme tek nxënësit.

Skenari 3
Mësimi zhvillohet vetëm online, në rast se situata me koronavirusin përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, lokal apo në nivel shkolle.

Në lidhje me skenarin e tretë, atë të mësimit vetëm online në rast të rëndimit të situatës me koronavirusin, ministria sugjeron që të bëhet kujdes me gjendjen emocionale të nxënësve duke mos i mbingarkuar, ndërsa vlerësimi do të bëhet në dy mënyra: 1-Vlerësim i vazhduar dhe, 2-Vlerësim i portofolit.

Porosia edhe kësaj radhe është e qartë: Mësuesit duhet të bëjnë kujdes që të mos i mbingarkojnë me detyra që nuk mund të realizohen në kushtet e shtëpisë.

Sipas këtij skenari, për vlerësimin vjetor do të aplikohet një formulë, e cila zeron vlerësimin me notë gjatë kohës që nxënësi ka mësuar në kushte shtëpie.

Gjatë kësaj kohe, bëhet vetëm vlerësimi i portofolit dhe vlerësimi i vazhduar dhe nuk do të ketë vlerësim me test ose me detyrë përmbledhëse për shkak të pamundësisë së nxënësve për t’u lidhur me mësuesin.

Ndërkohë në registër, për këtë semestër, në kolonën e vlerësimit do të shkruhet NK (nuk u krye) dhe kjo notë nuk do të llogaritet në vlerësimin vjetor.

Kështu, asnjëherë nota e nxënësit nuk do të jetë më e ulët gjatë mësimit online krahasuar me atë në klasë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!