Draft-statuti i Asociacionit, kërkohet që fillimisht të vlerësohet nga Kushtetuesja

schedule09:10 - 30 Prill, 2023

schedule 09:10 - 30 Prill, 2023

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i kërkohet që mos të ngutet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dy ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, Kurti porositet që mos të bëjë gabime në hapa për Asociacionit, derisa Serbia po e shkel vazhdimisht marrëveshjen e Ohrit.

Megjithatë, opozita në Kosovë apelon ndaj kreut qeveritar që çfarëdo draft-statuti për Asociacionin fillimisht të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, në partinë në pushtet shprehen të vendosur se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress, se është ende herët për miratimin e statutit të Asociacionit, andaj Kosova nuk duhet të ngutet për zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Ohrit, derisa Serbia nuk po e zbaton të njëjtën.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaron për KosovaPress, se statuti i Asociacionit, fillimisht si draft duhet të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, para se të jepet ndonjë aprovim prej Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, ai shpreh shqetësim se në bazë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pika shtatë ku flet për vetëmeneaxhim të komunitetit serb, nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese.

Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.

Ajo thekson se pajtueshmëria për Asociacionin vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2015, garancia e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe qëndrimi i përfaqësuesve amerikan, Chollet dhe Escobar se çka është dhe çka nuk është Asociacioni, janë bazë e mirë për hartim të një statuti për Asociacionin.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç më 2 maj në Bruksel. Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, ku fillimisht do të bëhet nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur si pikë e parë, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje bazë në Bruksel më 27 shkurt, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!