Bylisi u mposht nga Partizani në kryeqytet dhe tashmë Skënderbeu i vendit të parafundit është vetëm tre pikë larg. Kjo humbje sigurisht që “djeg” te ballshiotët, ndërkohë që pas ndeshjes foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport trajneri Veljko Dovedan.
“Ishte një shok mënyra se si e pësuam, aq shpejt. Luanim ndaj një ekipi shumë të fortë si Partizani. Kampionati është i vështirë dhe ne do të luftojmë fort deri në fund”, tha fillimisht trajneri i Bylisit.
“Rasti i Anthony? Ishte një rast i mirë për t’u futur në lojë. Për fat të keq nuk shënoi gol dhe më pas shkoi si shkoi. Mbijetesa varet nga ne. Nëse pësojmë gola të tillë, atëherë është e vështirë.
Edhe me Kastriotin pësuam shpejt, edhe sot. Kjo tregon shumë gjëra. Partizani ishte shumë mirë dhe nuk na la të shkonim me forca të shumta në sulm”, përfundoi trajneri i Bylisit. /abcnews.al