Dovedan: Momenti të fitojmë, tani nisin llogaritë! Bylisi im ka cilësi

schedule23:34 - 28 Shkurt, 2020

schedule 23:34 - 28 Shkurt, 2020

Bylisi do tentojë fitoren e parë për këtë vit në kampionat. Kundërshtari është Flamurtari i vendit të fundit dhe për ballshiotët është detyrim triumfi në këtë përballje. Trajneri Veljko Dovedan ka folur sot për mediat dhe bën thirrje për vlerësim maksimal të kundërshtarit.

“Ka ardhur momenti që të marrim fitoren e parë në kampionat për vitin 2020. Normalisht që e kemi merituar edhe më herët, për faktin se skuadra ka prodhuar lojë e raste. Duhet të mos mendojmë se do e kemi të lehtë dhe se përballë kemi Flamurtarin, që është në fund. Bylisi i vlerëson njësoj të gjithë kundërshtarët. Këtë e kam thënë dhe e them sërish, madje ua kam bërë me dije tërë lojtarëve sa herë kemi analiza”, shprehet Dovedan.

Më tej ai flet edhe për ndeshjen e barazuar me Partizanin: “Në Tiranë ndaj Partizanit bëmë një ndeshje të mirë, ndonëse e nisëm jo mirë takimin. Loja erdhi në rritje, bëmë futboll dhe morëm edhe frenat e lojës në dorë. Tashmë kam besim se do të marrim tri pikët dhe këtu vjen edhe kthesa jonë”.

Dovedan më pas vlerëson skuadrën që ka në dispozicion: “Bylisi ka cilësi dhe unë besoj shumë në këtë grup lojtarësh që kam. Veç kësaj janë bërë edhe shumë afrime dhe unë jam i mendimit se të tërë do të luajnë. Kush të ketë formën më të mirë ka mundësinë të tregojë vlerat e veta”.

Në lidhje me kampionatin, Dovedan thotë: “Unë e thash kemi një grup te plotë dhe do të jemi më të plotë ndaj Flamurtarit. Ndeshjet e radhës janë delikate sepse ekipet bëjnë llogari. Ndaj edhe neve duhet qe të jemi shumë të kujdesshëm, si në fushën tonë, ashtu edhe në transfertë. Sepse me ato skuadra qe s’ta merr mendja, ndodh çudia. Futbolli ka surprizat e veta”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!