DOSSIER/ Historia e dhimbshme e helenizimit të shqiptarëve, përpjekjet për rezistencë dhe “thika pas shpine” e fqinjëve

schedule10:36 - 20 Mars, 2022

schedule 10:36 - 20 Mars, 2022

Nga Hasan Bello

Në dekadën e fundit të shek.XIX-të avokati dhe publicisti arbëresh Anselmo Lorecchio (1843-1924) së bashku me Jeronim De Radën dhe Zef Skiroin do të jenë personalitetet më aktivë të Lëvizjes Kombëtare në Itali. Ai do ta shkrijë të gjith pasurinë për botimin e revistes “La nazione Albanese” (“Kombi shqiptar”).

Anselmo Lorecchio ishte një nga nismëtarët kryesorë të kongreseve për gjuhën në shqipe në Itali. Ai i shikonte shkaqet e përçarjes te shqiptarët jo tek ndasitë fetare, por tek huajt, që i cytnin shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Në një thirrje drejtuar shqiptarëve ai deklaron:

Ai që ju thotë juve, o vëllezër të Epirit, se ju jeni grekë, poshtëron gjakun tuaj…Le të mos u zemë besë gjithë atyre priftërinjve dhe hoxhallarëve të rreme, që kanë përdorur emrat e Krishtit e Muhamedit me qëllim që të na mbajnë të përçarë. Perëndia dhe Allahu, Muhamedi dhe Krishti na tregojnë vetëm një udhë: ta mbajmë atdhenë tonë të dashur të bashkuar dhe të respektuar“.

Në prill të vitit 1922, qeveria shqiptare, duke vlerësuar kontributin e tij shprehu dëshirën që ta emëronte si ministër pranë Selisë së Shenjtë. Por rrethanat politike e diplomatike të kohës, nuk e favorizuan këtë projekt. Anselmo Lorecchio njihet edhe si autorë i disa librave dhe artikujve mbi çështjen shqiptare.

***

Në vitin 1897 kur zhvillohej Lufta Turko-Greke, në parlamentin italian diskutohej lidhur me qëndrimin që duhej të mbante Italia. Një pjesë e deputetëve mendonte se lufta që zhvillonte Greqia, ishte një luftë e drejtë, e cila mbështetej në parimin e kombësisë.

Ndërsa pjesa tjetër, ishte e mendimit se lufta në fjalë kishte qëllime ekspansioniste. Një pikëpamjeje të tillë i përmbahet edhe intelektuali arbëresh në dy artikujt e mëposhtëm, të cilat ai i ka botuar në formë letrash në gazetën italiane “Opinione” më 11 dhe 13 prill 1897.

***

“Helenizmi dhe kombësitë e tjera në Lindje”

I nderuari zoti Drejtor,

Më lejoni që edhe unë të them mendimin tim rreth çështjes me të cilën është marrë kaq shumë parlamenti gjatë këtyre ditëve.

Është thënë se Greqia lufton për parimin e kombësisë; dhe përveç Kretës është zënë në gojë edhe Epiri, Thesalia dhe Maqedonia. Është thënë gjithashtu: Italia, e cila ia detyron ekzistencën e saj pikërisht këtij parimi, duhej të zbatonte një politikë të favorshme për Greqinë.

Sigurisht nuk jam unë ai që më takon të them se si duhet të ishte, apo si duhet të jetë në të ardhmen, mënyra e sjelljes politike që duhet të ndjekë Italia: them vetëm se duke e shtruar çështjen kështu siç është paraqitur, padyshim, nuk do të kishte asgjë të qortueshme. Veçse çështja kështu do të mbështetej mbi të dhëna faktike të gabuara.

Për të thënë se Greqia kur aspiron veç Kretës edhe Epirin, Thesalinë dhe Maqedoninë, lufton për parimin e kombësisë, para së gjithash do të ishte e nevojshme që të quhej si fakt i padiskutueshëm që ato tre krahina të jenë të kombësisë greke.

Për ta demonostruar këtë, për të menduar se është diçka e padiskutueshme, nuk mjafton fakti që popullsitë e Epirit dhe të Thesalisë të jenë pjesërisht të helenizuara, në saj të veprimtarisë ngulmuese e të kobshme të kryera nga Greqia prej kaq shumë vjetësh: nuk mjafton që në Maqedoni, midis rracave të tjera, të përfaqësohet edhe grekja, megjithëse kurdoherë në një pjesë shumë të vogël.

Do të ishte e nevojshme që për këtë të zhdukej historia, gjeografia, etnografia. Dhe, edhe nëse do të arrihej që të zhdukej gjithçka, do të ndeshej kurdoherë pengesa më e madhe në kundërshtimin e vendosur të shqiptarëve; të cilët, me armë në dorë do t`i kundërvihen çdo sulmi, jo për t`u bërë mbështetja e këtij apo atij institucioni, siç u pëlqen të thonë disa, përkundrazi, vetëm për të mbrojtur integritetin e territorit të tyre.

Fjala e qeverisë italiane qe shumë e përshtatshme, kur ajo vuri në dukje rreziqet e mëdha drejt të cilave do të shkonte Europa, në qoftë se do të dëshironte t`u bënte lëshime, sado të pakta, pretendimeve të Greqisë, që janë të padrejta dhe agresive në shumicën e tyre dërrmuese.

Jo vetëm Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi paraqesin në Gadishullin e Ballkanit një parim kombësie. Në atë Gadishull jeton edhe rraca shqiptare, që është më e madhe në numër, bile, midis të gjithave, më guximtarja, më e bashkuara etnikisht; dhe kjo rracë megjithëse diplomacia nuk ia ka afirmuar kombësinë, nuk ka ndërmend të lejojë ta sulmojnë dhe ta nënshtrojnë të tjerat; Europa e di këtë.

Sa për mua, shqiptarët e kolonive në Itali dhe, para së gjithash, shtetasit italianë, më intereson ta bëj të ditur këtë gjë; dhe ju falenderoj, i nderuar zoti Drejtor për mikpritjen që do t`i bëni kësaj letrës time edhe në emrin e një populli të tërë, të cilin bota mbarë e nderon dhe e rrespekton për rolin që ka luajtur kurdoherë në historinë e qytetërimit, por që, megjithatë, është kaq fatkeq.

***

“Helenizimi dhe shqiptarët”

I nderuar zoti Drejtor,

I nxitur nga mirëpritja që iu bë letrës sime nga gazeta juaj me shumë autoritet, po lejohem të shkruaj edhe një të dytë, me shpresë që edhe kjo të ketë nderin e botimit; duke pasur parasysh, para së gjithash se do të jap një ndihmesë, ndofta për ta sqaruar se ku qëndron grindja që po zhvillohet në një periudhë kaq të mprehtë në Lindje; rreth së cilës publiku, me sa duket, nuk ka një koncept krejtësisht të saktë, apo nuk dëshiron ta ketë sepse rrëmbehet nga pasioni filohelenik, që si të gjitha pasionet e tepron.

Fola dje mbi pretendimet greke mbi Epirin, Thesalinë dhe Maqedoninë, të cilat duan t`i paraqesin si aspiratë kombëtare dhe si shpallje të së drejtës së lartë të kombësisë. “Kolniche Caitung” e Kolonisë e ka përvijuar çështjen në mënyrë të saktë: “Nuk ka mundësi që Greqia të arrij të fitojë terren në Maqedoni dhe në Epir, vetëm. Fuqitë, kështu, mund ta presin përfundimin e Luftës Turko-Greke. Ndofta ky përfundim do ta bindë Greqinë të jetë më e arsyeshme dhe e qetë, duke ia mbushur mendjen për iluzionet që ka, lidhur me forcën e saj dhe simpatinë që frymëzon”.

Por fakti është se këto iluzione, të ushqyera prej shumë kohësh, ndihmojnë për ta përforëcuar edhe më shumë atë filohelenizim, i cili, nën maskën e aspiratave kombëtare bujare, ndihmon për t`i acaruar popujt e ndryshëm, duke krijuar kështu shqetësime dhe të papritura për Fuqitë, që po merren me rrafshimin e grindjes së madhe në mënyrë të drejtë dhe sipas drejtësisë. Ato pretendime, para së gjithash, u sjellin një dëm gjithnjë e më të madh dhe të plotë shqiptarëve.

Filohelenizmi ka arritur deri në atë pikë sa t`ua mbushë mendjen jo vetëm njerëzve të thjeshtë, por edhe atyre që kanë një dituri mesatare, se populli shqiptar me një kombësi të tijën nuk ekziston; se ata njerëz në gadishullin e Ballkanit mbajnë këtë emër, apo në mënyrë më të përshtatshme quhen shqiptar, janë pjesërisht grekë e pjesërisht sllavë. Nga ana tjetër, nuk është për t`u habitur shumë, sepse pikërisht këtë gjë, në mënyrë implicite, e ka quajtur me vend Kongresi i Berlinit i 1878. Por, ndofta në një kohë pak a shumë të afërt Europa do ta kuptojë gabimin.

Në gjendjen e tanishme të grindjes unë them, në mënyrë modeste në emrin tim, por me shumë autoritet, në emrin e Shoqërive dhe të Lidhjeve Shqiptare të ndryshme, se shqiptarët përbëjnë në kohën e sotme elementin më me vlerë e më të sigurt të rendit në Gadishullin Ballkanik; ata po mbajnë pikërisht një qëndrim të tillë përballë grindjes së madhe, vetëm në interesin e tyre. Kjo për shqiptarët përbën një afirmim të kombësisë së tyre dhe një fillim që kjo kombësi t`u njihet atyre nga Fuqitë.

Kështu, shqiptarët janë të interesuarit kryesorë për ruajtjen e asaj statukuoje territoriale, që i pëlqen aq shumë Europës. Fuqitë duhet ta llogarisin këtë qëndrim që mbahet nga një popull bujar, i cili nuk ka frikë dhe nuk duhet t`ia mohojnë atij përkrahjen më efikase në mënyrë që ai të sigurojë nga Porta e Lartë ato reforma organike, të cilat i kërkon vazhdimisht.

Duhet vënë në dukje edhe një gabim tjetër po kaq i rëndë: thuhet se shqiptarët kërkojnë protektoratin e atij apo atij shteti të Europës; apo se ata kërkojnë, bile, aneksimin me ndonjërin prej tyre. Kjo është tepër e pasaktë: ata që i përhapin këto lajme nuk e njohin karakterin e vërtetë të popullit shqiptar.

Sidoqoftë, gracka që fshihet në përhapjen e këtyre lajmeve, në rast se ato nuk përhapen pa qëllim të keq është e dukshme dhe e qartë. Me këtë mënyrë behet përpjekje për të ngjallur xhelozi midis Fuqive dhe për t`ua larguar vëmendjen nga vepra humanitare dhe paqësuese së cilës i janë vënë, me një dëshirë kaq të admirueshme dhe unanime.

Ju falenderoj përsëri i nderuari zoti Drejtor dhe të jeni i sigurtë se nuk do t`ju shqetësoj më me këto konsideratat e mia melankolike.

Anselmo Lorekio,

Kryetar i Shoqërisë Kombëtare Shqiptare në Itali.

*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Anselmo Lorecchio “Helenizimi dhe shqiptarët”. 
**Materiali është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!