“DOSSIER/ “Agimit çojini një automatik, por më mirë ta helmojmë përmes mjekut”: Tentativat e regjimit komunist për të vrarë familjen e Zogut

schedule09:56 - 8 Janar, 2022

schedule 09:56 - 8 Janar, 2022

Nga Hasan Bello*

Kundërshtari kryesor i regjimit komunist pas vitit 1944 ishte Mbreti Zog. Ai së bashku me pasuesit e tij do të jenë objekti numër një i zbulimit shqiptar jasht kufijve të Shqipërisë. Kjo për shkak të potencialit dhe lidhjeve të shumta që ai gëzonte në arenën ndërkombëtare. Por kjo lidhet dhe me një arsye tjetër. Në vitet 1949-1953 amerikanët dhe britanikët do të fillojnë një fushatë desantimi dhe përgatitjeje të emigracionit politik.

Në disa shtete të ndryshme si në Maltë dhe Gjermani do të krijohen kampe ku specialistë të shërbimeve sekrete anglo-amerikane do të stërvisin emigrantët shqiptarë për t`i nisur më pas drejt Shqipërisë. Pjesa dërrmuese e këtyre elementëve vinin nga radhët elegalistëve ose simpantizantëve të Mbretit Zog. Prandaj për agjentët e Sigurimit të Shtetit, ai do të jetë vazhdimisht në qendër të veprimtarisë së tyre.

Në arkivin e Sigurimit ndodhen dy dosje që lidhen drejtpërdrejtë me Mbretin. Në dosjen Nr.1/1 ndodhen dokumente të mbas Luftës së Dytë Botërore dhe një sasi artikujsh nga gazeta e revista të ndryshme mbi veprimtarinë e tij politike. Kjo dosje fillon nga data 20 tetor 1945 – 1 dhjetor 1951 dhe sipas inventarit përmban gjithsej 91 fletë.

Ajo hapet me një inventar të materialeve që ndodhen brenda saj, listën e operativëve që kishin në ngarkim këtë dosje (Ram Çelija dhe Mitro Zine) si dhe listën e personave që implikoheshin në këto materiale. Kjo ishte një procedurë standard e cila praktikohej në çdo dosje të Sigurimit të Shtetit.

Në këtë dosje gjenden informacione lidhur me veprimtarinë e Mbretit dhe të emigracionit politik; përpjekjet e tij e të drejtuesve të grupeve të ndryshme në kushtet tepër të vështira në të cilat ndodheshin si dhe organizimin e tyre kundër regjimit komunist.

Dosja hapet me një informacion të dërguar nga Londra lidhur me Familjen Mbretërore dhe oficerët që jetonin me Mbretin si dhe me qëndrimin parimor që ai mbante, duke lobuar në favor të pjesmarrjes së Shqipërisë në Konferencën e San Franciskos. Kjo Konferencë u thirr nga SHBA-ja për të gjithë ato shtete që i kishin shpallur luftë Gjermanisë naziste deri në mars të vitit 1944. Pavarësisht armiqsisë që kishte me qeverinë komuniste, pjesmarrja e Shqipërisë në këtë Konferencë kishte një rëndësi të madhe për Mbretin.

Sipas tij, kjo do të thoshte njohje e luftës së popullit shqiptar kundër nazifashizmit, që kishte nisur që me 7 prill 1939 me qëndresën e organizuar prej tij dhe të realizuar nga Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku dhe oficerë të tjerë të shtetit shqiptar.

Me interes është pasqyrimi i mbërritjes së Mbretit Zog në Egjipt dhe përpjekjet e tij për të krijuar Komitetin “Shqipëria e Vërtetë”, i cili kishte si qëllim të bashkonte Shqipërinë me Kosovën; të punonte kundër “Federatës Ballkanike”, për të ndaluar influencën jugosllave mbi Shqipërinë etj.

Në vijim të qëndrimit të tij konseguent lidhur me mbrojtjen e interesave kombëtare, Mbreti do të kundërshtonte propozimin e bërë nga ana e britanikëve, që kundrejt dhënies së Korçës dhe Gjirokastrës grekëve, Shqipëria të merrte si “shpërblim” Kosovën.

Sipas dokumentacionit, ai u kishte deklaruar atyre se, Korça e Gjirokastra për Shqipërinë ishin si një djalë i vetëm, prandaj nuk mund ta pranonte këtë propozim. Për çështjen e ashtuquajtur të “Vorioepirit”, të ngritur disa herë nga Athina zyrtare në organizatat ndërkombëtare, Mbreti u kishte deklaruar diplomatëve të ndryshëm dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë se qëndronte përkrah kundërshtarit të tij politik, Enver Hoxhës.

Kjo ishte diferenca e Mbretit Zog me estabilishmentin komunist.

Për interesat madhore kombëtare, ai ishte i gatshëm të bashkëpunonte edhe me kundërshtarin më të egër politik, kurse drejtuesit e regjimit komunist, ishin intrasigjentë dhe as që mendonin për një bashkëpunim të tillë, por kultivonin armiqësinë ekstreme si mjet për të mbajtur me çdo kusht pushtetin.

Në dosjen Nr.1/2 të Mbretit ndodhen dokumente të periudhës nga 11 prill 1952 – 12 mars 1962. Edhe kjo dosje hapet me një inventar të materialeve që ndodheshin brenda saj, operativët që e kishin në ngarkim (Ram Çelija dhe Mitro Zine) si dhe listën e personave që implikoheshin në këto materiale.

Në këtë dosje ndodhen informacione dhe radiograme për veprimtarinë e Mbretit në dekadën e fundit të jetës së tij, e cila karakterizohet nga një intensitet zhvillimesh që lidhen kryesisht me përpjekjet për të organizuar emigracionin politik shqiptar.

Një sfidë që vijoi edhe në këtë periudhë ishte sistemimi dhe tërheqja e personaliteteve kryesore të emigracionit nga kampet dhe shtetet ku ata kishin mbetur në kushte tepër të vështira ekonomike.

Për arritjen e këtij objektivi dhe për të gjetur mbështetje nga Liga Arabe, pas konsultimit me gjeneralin Clayton, Mbreti inkuadroi një pjesë të shqiptarëve në ushtrinë e kësaj Lige për të luftuar simbolikisht kundër Izraelit.

Në një deklaratë për një agjenci të huaj shtypi më 3 nëntor 1949, përplasjen sovjeto-jugosllave me shumë të drejtë ai e  konsideronte si “zënkë familjare”. Me këtë, ai, kishte parasysh botën sllave dhe lidhjet e gjakut që popujt e këtyre shteteve kishin me njëri-tjetrin pavarësisht grindjeve të përkohshme. Ai shtonte se Shqipëria ishte “gjakosur nga një minoritet komunist”.

Por lëvizjet e Mbretit nuk mbikqyreshin vetëm nga Sigurimi i Shtetit dhe shërbimet e huaja. Ai vazhdimisht ishte në fokus të shtypit. Kështu, në kohën kur Zogu u largua për në SHBA gazeta greke “Kathimerini”, duke folur për vajtjen e tij atje, shkruante se “Ahmet Zogu mund të jetë ftuar nga «Komiteti Shqipëria e Lirë» për t`i pajtuar mbasi egzistojnë pikpamje të kundërta. Flitet se Zogu do përpiqet të marë kontakt me Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësinë e disa senatorëve të njohur si Gjenerali Donovan”.

Pas rrëzimit të Mbretit Faruk në Egjipt nga junta ushtarake prosovjetike, për Familjen Mbretërore shqiptare u krijuan rrethana të vështira. Banesa e saj u mësy nga forcat ushtarake dhe pasuria iu konfiskua me pretekste të ndryshme.

Falsiteti i tyre bëri që brenda një kohe të shkurtër, gjykata t`ua rikthente sendet e konfiskuara. Kjo ishte një formë presioni e nxitur nga shërbimet sekrete komuniste (me shumë gjasë KGB). Këto veprime ndiqeshin me kujdes nga amerikanët, të cilët bënë përpjekje për ta lejuar Mbretin që të largohej drejt Qipros, nga ku në bashkëpunim me të, të drejtonin aktivitetin e emigracionit politik shqiptar kundër regjimit komunist.

Por a ka patur tentativa për eleminimin fizik të Mbretit?

Sigurisht që po. Kjo konfirmohet dhe nga dokumentacioni. Kështu, në një rast agjenti “Agimi” raporton nga Parisi më 13 shtator 1955 se një bashkëpuntor me emrin Ferit Dajaka kishte biseduar me “Algjerianin” për të vrarë Mbretin Zog. Mbas dy tre ditësh, ai i kërkoi “Agimit” një automatik për të kryer vrasjen.

Nga dokumentacioni nuk del qartë nëse “Algjeriani” ishte pseudonim i ndonjë vrasësi me pagesë apo dikush tjetër… Më 24 shtator 1955 qendra i drejtoi një radiogram “Agimit”, ku e njoftonte se Ferit Dajaka, nuk ishte i përshtatshëm për të vepruar.

Por regjimi komunist nuk hoqi dorë nga ky skenar. Përkundrazi, po në të njëjtën datë, me anën e një radiogrami tjetër, qendra kërkoi nga “Agimi” të mësonte se tek cili mjek do të vizitohej “Macukulli” (Mbreti Zog) dhe të studiohej mundësia që ta eleminonin fizikisht.

Tiranës zyrtare nuk i interesonte të bënte bujë nëpërmjet atentateve me armë. Asaj i leverdiste të përdorte metoda më të sofistikuara, të cilat gjithësesi nuk ndryshonin asgjë nga praktikat terroriste. Kjo vihet re nga relacioni i rezidenturës së Sigurimit të Shtetit që vepronte në kuadër të përfaqësisë shqiptare në Paris, e cila i raportonte qendrës:  “Në qoftë se arrijmë të rekrutojmë për agjent në shërbim të punës tonë ndonjë nga njerëzit besnikë që shoqërojnë Zogun do të marrim masa mbasi të kemi studiuar mundësitë për zhdukjen e Zogut. Në këtë studim do të parashikojmë helmimin e tij dhe të birit ose të krejt familjes, duke e përdorur helmin në ushqim ose në pije.

Nga ana tjetër, duke u informuar nga “Elmeta” së cilës do t`i ngarkohet për detyrë ose nga burime të tjera do të studiojmë doktorin që mjekon Zogun. Në këtë drejtim do të bëjmë studimin e rrethit të doktorit, qëndrimin e tij dhe të rrethit shoqëror e miqësor, për të mundur që nga një studim të gjithanshëm, të gjejmë elementin e përshtatshëm i cili, i udhëzuar nga ne, të organizojë zhdukjen e Zogut me anën e doktorit”.

Mjaftojnë këto fakte për të treguar implikimin e shërbimit sekret të Enver Hoxhës për të eleminuar kundërshtarët e tij jo vetëm brenda, por edhe jasht vendit.

Helmimi i Familjes Mbretërore në një periudhë kur perdja e hekurt kishte garantuar pushtetin e estabilishmentit komunist, tregon frikën, kompleksin, psikologjinë dhe mbi të gjitha karakterin terrorist të drejtuesve të PPSH-së dhe të Sigurimit të Shtetit, që nga krijimi i tyre në vitet e Luftës së Dytë Botërore. /abcnews.al

*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për të helmuar Familjen Mbretërore shqiptare
**Materiali është përgatitur ekskluzivisht për abcnews.al, ndalohet riprodhimi online pa lejen me shkrim të redaksisë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!