Nga Hasan Bello*
Një nga detyrat e institucioneve të shtetit shqiptar ishte disiplinimi i fëmijëve dhe të rinjve me devijime politiko-sociale. Për këtë arsye, me 5 qershor 1957 Këshilli i Ministrave nxorri vendimin nr.208 “Mbi masat e mëtejshme mbi edukimin e fëmijëve dhe mbi krijimin e dhomave të edukimit dhe kolonisë së riedukimit për fëmijët me sjellje të këqia”.
Në shoqërinë e para viteve 90-të këto njiheshin si “shkolla edukimi” dhe të rinjtë që kishin qenë atje konsideroheshin me “njollë” në biografi.
Në këtë drejtim, barrën kryesore e mbante Drejtoria e Përgjithshme e Policisë me degët e saj në të gjitha qytetet si dhe Ministria e Arsimit. Kjo e fundit duke u mbështetur tek të dhënat e policisë, në vitin 1965 hartoi një raport “Mbi rrugaçërinë e fëmijëve dhe të rinjve” nën moshën 18 vjeç, për 9 qytetet kryesore të Shqipërisë.
Pavarësisht gjuhës dhe këndvështrimit të kohës, në aspektin sociologjik ky raport ka rëndësinë e tij. Ai tregon se megjith kontrollin policorë, trysninë e mekanizmave të shtetit dhe indoktrinimin që i bëhej rinisë, edhe përgjatë komunizmit, problemet tek fëmijët dhe të rinjtë ishin të paevitueshme.
Në konkluzionet e Ministrisë së Arsimit rezultonte se, fenomeni i rrugaçërisë ishte më i përhapur në qytetet që ishin rritur shpejt pas çlirimit ku zhvillimi industrial kishte qenë relativisht më i madh se në qendrat e tjera urbane, si: në Durrës, Fier, Lushnje dhe Vlorë. Kjo lidhej me ardhjen e popullsisë nga zonat periferike dhe me thyerjen e homogjenitetit social.
Më shumë se gjysma e këtyre fëmijëve dhe të rinjve ishin nga ata që silleshin keq, që kryenin akte të ndryshme rrugaçërie në rrugë dhe në qendrat publike, ndërsa vjedhësit dhe imoralët ishin më të pakët. Ajo që konstatohej në të dhënat policore ishte se numri i vajzave rrugaçe, ishte shumë më i vogël se i djemve. Megjithatë, ato luanin një rol të rëndësishëm, duke nxitur e aktivizuar shumë të rinj në akte rrugaçërie.
Një konkluzion domethënës ishte se 60% e fëmijëve dhe të rinjve që klasifikoheshin në kategorinë e “rrugaçëve” ishin bij punëtorësh të ardhur nga fshati pas çlirimit dhe 27% bij fshatarësh të ardhur vonë në qytet, të cilët ishin pa profesion, por që ruanin akoma origjinën fshatare.
Ndërsa vetëm 13% e këtyre fëmijëve dhe të rinjve ishin bij nënpunësish. Sipas këtyre statistikave, 87% e këtyre fëmijëve dhe të rinjve ishin bij të prindërve punëtorë, përgjithësisht me origjinë fshatare. Këto të dhëna flasin qartë se procesi i urbanizimit, i cili ecte paralel me industrializimin e vendit po shoqërohej me vështirësi dhe pasoja në aspektin social.
Kjo vinte edhe për shkak të rrethanave ekonomike, pabarazisë për tu integruar në institucionet arsimore dhe profesione të ndryshme. Prandaj një pjesë e të rinjve e shihin veten pa perspektivë dhe në mesin e njëmijë vështirësive. Me këtë kemi parasysh, në radhë të parë, plotësimin e nevojave bazë, siç ishte ushqimi dhe veshmbathja.
Ajo që të bënte përshtyje ishte fakti se, 72% e “rrugaçëve”, ishin fëmijë 10-15 vjeç dhe mosha kur kishin filluar të shthureshin ishte ajo midis 10-13 vjeç. Por sipas informacioneve të organeve policore kishte dhe më të vegjël. Këta ishin fëmijë me vetëdije të paformuar. Kujdesi dhe kontrolli i prindërve nuk kishte qenë në nivelin e duhur.
Një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve nuk shkonin në shkollë. Por kishte dhe nga ata që e frekuentonin shkollën rregullisht.
Sipas përfundimeve që nxirrte Ministria e Arsimit duke u mbështetur tek të dhënat policore ishte se, shkaqet e rrugaçërisë së fëmijëve dhe të rinjve ishin:
1.Mungesa e kujdesit dhe kontrollit prindëror.
Kjo vinte për një sërë arsyesh ku më kryesorja ishte se procesi i industrializimit të qyteteve kishte sjellë nevojën e thithjes së popullsisë fshatare. Në kushtet e marrëdhënieve të reja në qytet raportet familjare dhe ato shoqërore komplikoheshin.
Çështja e kujdesit prindëror dhe problemet e edukimit të fëmijëve përballeshin me kushte të reja. Ndryshe nga fshati ku mundësitë ishin më të kufizuara, hapësira më e vogël dhe lidhjet farefisnore më të ngushta, në qytet ishte më e vështirë.
Nga të dhënat dilte se 66% e fëmijëve rrugaçë i kishin të dy prindërit në punë dhe gjatë ditës nuk kishte asnjë të afërm që të kujdesej për edukimin e tyre. Në 933 fëmijë dhe të rinj të kësaj kategorie, 59 i kishin prindërit e dënuar. Ndërsa 70 nga 108 vajzat rrugaçe, ishin bija të prindërve imoralë, vjedhës dhe të dënuar.
Nuk mungonin edhe raste të prindërve të divorcuar, ose që kishin konflikte me njëri-tjetrin. Megjithatë shumica e tyre nuk vinin nga këto familje. Por nga prindërit që për shkak se ishin në punë, nuk kishin kohë të mereshin me fëmijët.
E gjitha kjo vinte për shkak të procesit të sforcuar të raporteve shoqërore që krijoi regjimi komunist, ku të gjith të rriturit, ishin të detyruar të dilnin në punë, ose të angazhoheshin në veprimtari të ndryshme politike.
Kjo krijoi një boshllëk. Shumë prindër për shkak të nevojave ekonomike, plotësimit të normës, aksioneve dhe anagazhimeve shtetërore për realizimin e planeve të ndryshme, qëndronin larg familjes, për periudha relativisht të gjata.
Por kishte edhe prindër që ishin të paformuar e të papërgatitur për edukimin e fëmijëve në raport me rrethanat e reja shoqërore. Shkolla dhe institucionet e tjera socializuese nuk ishin kurdoherë në nivelin e duhur, për të mbajtur nën kontroll të gjith fëmijët.
2.Funksionimi jo i rregullt i organeve të kujdestarisë së fëmijëve dhe kujdesi i pamjaftueshëm i organeve të tjera shtetërore për sjelljen dhe mbrojtjen e fëmijëve ishte një arsye tjetër. Në radhë të parë këtu vinin jetimoret, të cilat kishin për detyrë që të kujdeseshin për fëmijët paprindër. Sipas Ministrisë së Arsimit, gjykatat popullore nuk e ushtronin siç duhej detyrën e tyre për edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Edhe kur ishte e domosdoshme ato shumë rrallë dhe me hezitim të madh u hiqnin fëmijët disa prindërve që e parashikonte ligji, për t`i sistemuar e për të siguruar përkujdesin ndaj tyre. Komitetet e Partive në rrethe gjithashtu nuk ishin treguar të kujdesshëm ndaj fëmijëve që kishin mbaruar ose jo 7-vjeçaren dhe endeshin rrugëve të papunë.
Gjatë vitit arsimor 1962-1963 në qytetin e Durrësit, Shkodrës, Korçës, Vlorës, Lushnjes dhe Ersekës kishte patur 220 fëmijë e të rinj që endeshin rrugëve pa asnjë preokupacion. Shumë ndërmarrje nuk tregoheshin të gatshme për angazhimin e tyre në punë dhe kishte raste, që edhe kur i merrnin, brenda një kohe të shkurtër i largonin nga puna. Rreth 1/3 e të miturve të dënuar në vitin 1963 nuk kishin qenë asnjëherë në marrëdhënie pune dhe në shkollë.
Në Shkodër nga 12 të mitur të dënuar gjatë vitit 1963, 5 qenë pa punë dhe me arsim 7 vjeçar. Në Tiranë nga 29 të mitur të dënuar, 11 ishin pa punë, ndër të cilët 6 me arsim 7 vjeçar. Një pjesë e këtyre të miturve rrëshkisnin në rrugën e prostuticionit. Gjatë vitit 1963 për këtë arsye ishin dënuar 9 vajza të mitura.
Numri i tyre kishte qenë disa herë më i lartë. Por organet policore dhe gjykatat kishin dënuar vetëm ato raste, që ishin konsideruar me rrezikshmëri të lartë për vetë ata dhe shoqërinë.
Veprimtaria e organeve policore, hetuesisë dhe gjykatave nuk kishte qenë e diferencuar përsa i përket parandalimit dhe vlerësimit të tendencave kriminale të fëmijëve dhe të rinjve. Për ta ndiqej e njëjta procedurë si për të pandehurit e rritur. Në organet qendrore të drejtësisë së regjimit komunist, kishte patur një farë përpjekjeje që fenomenet negative tek moshat e reja të analizoheshin në mënyrë specifike. Megjithatë nuk kishte patur ndonjë hap që të shoqërohej me masa konkrete. Të pastudiuara mbeteshin edhe shkaqet që shumë fëmijë e të rinj i shtynin drejt rrugaçërisë dhe kriminalitetit.
3.Mungesa e një kujdesi të veçantë, të diferencuar të shkollave dhe të mësuesve për fëmijët që paraqitnin shenja të theksuara indisiplinimi dhe sidomos për ata që kalojnë në akte rrugaçërie.
Në këtë drejtim Ministria e Arsimit e pranonte hapur se këtu ndikonin edhe dobësitë e përgjithshme të shkollave. Kjo merrte një rëndësi të veçantë kur nga statistikat e policisë konstatohej se, një pjesë e këtyre fëmijëve dhe të rinjve ishin ose kishin qenë frekuentues të shkollave. Ajo kritikonte mësuesit dhe drejtorët që shpesh hiqnin dorë nga nxënësit e padisiplinuar dhe zgjidhnin si rrugë më të shkurtër largimin e tyre nga shkolla.
Puna edukative me nxënësit çalonte dhe për shkaqe objektive. Në shumicën e qyteteve, për mungesë shkollash, mësimi zhvillohej me dy turne. Për këtë arsye, mësimi i ciklit të ulët, zhvillohej pasdreke. Kjo bënte që disa fëmijë që i kishin prindërit në punë, të endeshin rrugëve.
4.Mungesa e një preokupacioni shoqëror të përgjithshëm dhe të vazhdueshëm për edukimin e fëmijëve dhe të rinisë, sidomos për ata me sjellje të këqia. Një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim kishin Këshillat e lagjeve, organizatat e masave në lagje dhe në qendrat e punës, të cilat nuk merreshin sa duhej me problemet e edukimit të fëmijëve dhe të rinjve të pasjellshëm dhe rrugaçë.
Ministria e Arsimit arrinte në përfundimin se një arsye ishin dhe kufizimet e shumta që fëmijët kishin në këtë periudhë. Kështu, atyre i ndalohej frekuentimi i kinemave, i teatrove dhe i disa vendeve, me justifikimin se ishin të destinuar vetëm për të rritur.
Prandaj organet shtetërore duhej të merrnin masa që atyre tu krijoheshin kushte për argëtim, për kalimin e organizuar dhe aktiv të kohës së lirë. Në të gjitha qytetet e Shqipërisë ishin caktuar sheshe që do të përdoreshin si kënde lojrash. Por në asnjërin prej tyre nuk ishin vendosur mjetet e nevojshme. Shtëpitë e kulturës, të pionierëve etj, nuk zhvillonin asnjë punë për tërheqjen e fëmijëve dhe të rinjve me probleme.
Për të luftuar e kufizuar rrugaçërinë e fëmijëve dhe të rinjve, Ministria e Arsimit propozonte që të mereshin masa në dy drejtime: së pari, për riedukimin e fëmijëve dhe të rinjve rrugaçë dhe, së dyti, për parandalimin e rrugaçërisë nga masa tjetër e fëmijëve dhe të rinjve.
I.Masa për riedukimin e fëmijëve dhe të rinjve rrugaçë.
Sipas Ministrisë së Arsimit fillimisht duhej të bëhej një seleksionim i fëmijëve dhe të rinjve që konsideroheshin si shkelës të ligjit, me qëllim që më të rrezikshmit, ata që në mënyrë të vazhdueshme kishin kryer akte rrugaçërie, të izoloheshin, që të mos infektonin të tjerët, duke i vendosur në institucione të posaçme.
Vajzat që duheshin edukuar të mos vendoseshin në këto institucione, por në shtëpi të veçanta, me një regjim të fortë, ku edukimi i tyre të bëhej kryesisht nëpërmjet punës. Në këto shtëpi, ato duhej të fitonin ndonjë profesion, në mënyrë që të jetonin të pavarura.
Fëmijët që ishin në moshë shkollore dhe që përfshiheshin në akte rrugaçërie, nëse u mungonte kujdesi prindëror, të sistemoheshin në konvikte ose jetimore.
Komitetet ekzekutive të ngarkoheshin me detyrën për të sistemuar në punë të gjith të rinjtë që nuk i kapte detyrimi shkollor. Kryeministria duhej të udhëzonte drejtoritë e ndërmarrjeve që me këta të rinj të tregoheshin të kujdesshëm, t`i mbikqyrnin me durim e këmbëngulje në punë dhe jasht saj.
II.Masat për parandalimin e rrugaçërisë së fëmijëve dhe të rinjve.
Ministria e Arsimit për parandalimin e këtyre problemeve propozonte një sërë masash të tjera, siç ishte për shembull ngritja e grupeve ditore të fëmijëve në shkolla. Kjo nevojitej për shkak të mungesës së kontrollit dhe mbikqyrjes së fëmijëve nga prindërit që ishin në marrëdhënie pune. Një zgjidhje e tillë ishte kërkuar edhe më përpara, por mungesa e ambienteve të lira shkollore mbetej problem i madh.
Pjesmarrja e gjerë e gruas në prodhim pranohej se ishte një arsye më vete e shtimit të rrugaçërisë dhe si zgjidhje e vetme për këtë ishte mbikqyrja e fëmijëve gjatë kohës së lirë. Në planin e pesëvjeçarit të IV ishte parashikuar që 25% e ambienteve shkollre të ishin të lira, për t`u përdorur për zhvillimin e aktiviteteve jasht klase.
Rritja e përgjegjësisë prindërore për edukimin e fëmijëve ishte një masë tjetër e nevojshme. Shkollat duhej të forconin punën pedagogjike dhe ndërgjegjësimin e prindërve, që kishin mangësi të theksuara për edukimin e fëmijëve.
Organet e kujdestarisë së fëmijëve pranë Komiteteve Ekzekutive duhej të gjallëronin punën e tyre dhe të ushtronin të gjitha detyrat dhe të drejtat që parashikonte ligji. Me këtë kihej parasysh zbatimi i ligjit “Mbi kujdestarinë e fëmijëve”; “Mbi raportet midis prindërve dhe fëmijëve”; dhe rregulloren e përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe asaj të Punëve të Brendshme “Mbi masat edukative dhe administrative për lëvizjen e fëmijëve në rrugë” datë 18.3.1960.
Nga ana tjetër, propozohej që Komisioni i Planit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të diskutonte çështjen e sistemimit në punë si nxënës në ekonomi dhe në kurse të ndryshme profesionale të të gjith atyre të rinjve, që nuk vazhdonin shkollën pas mbarimit të arsimit 7 vjeçar. Por edhe shkollat duhej të forconin punën me fëmijët e të rinjtë dhe, të përmirësonin rregullin dhe disiplinën e tyre. Këto dhe një sërë masash të tjera, sipas këtij dikasteri, do të shërbenin për të përmirësuar situatën e atyre që shfaqnin tendenca rrugaçërie. /abcnews.al