Dosja “Partizani”, Kulluri: PD mbështet punën e SPAK, çdo politikan të trajtohet i barabartë para ligjit

schedule17:36 - 3 Nëntor, 2023

schedule 17:36 - 3 Nëntor, 2023

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri deklaroi se kjo forcë politike mbështet punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në trajtimin e barabartë para ligjit të çdo politikani, duke iu referuar edhe çështjes “Partizani”, për të cilën është vënë në hetim për korrupsion, ish kryeministri Sali Berisha.

Në një intervistë për ABC News, Kulluri u shpreh se PD ka mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje.

“Qëndrimi ka qenë i qartë edhe për çështjen e klubit Partizani, që PD mbështet pa rezerva punën e SPAK në trajtimin e barabartë para ligjit të kujtdo politikani shqiptar. Besoj se është korrekte, është i vetmi qëndrim që duhet të mbajë një parti politike normale në këtë vend, sepse është e kotë që të sfidosh ligjin, të sfidosh institucionet, të sfidosh palët, për sa kohë të gjitha palët kanë rënë dakord që të veprojnë në këtë sistem politik, në këtë sistem kushtetues, në këtë sistem ligjor, ku çdokush duhet të jetë i barabartë para ligjit për aq sa është e mundur.

Kështu që, kësaj do t’i nënshtrohet çdokush, edhe ne si individë, çdo individ që është pjesë e PD, do përballet me akuzat që i bëhen, duke u  mbrojtur pranë gjykatave dhe përballë prokurorisë. Nuk ka rrugë tjetër.

Që ne të bëjmë avokatin apo prokurorin e klubit Partizani, apo inceneratorët, kjo nuk shkon. Denoncimet që kemi bërë, janë denoncime që organet e drejtësisë duhet t’i marrin parasysh dhe kemi luftuar që këto të merren parasysh”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!