Dosja “Gërdeci”, Bumçi del nga SPAK: Shënimet e gjetura nuk janë të miat, është falsifikim

schedule12:08 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 12:08 - 13 Dhjetor, 2022

Ish-ministri demokrat Aldo Bumçi ka folur për mediat pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, ku u thirr për të pyetur si person që ka dijeni për çështejn e Gërdecit.

Ai u ndal gjatë tek shkresa që hodhi dyshime mbi të, në anë të së cilës ishte shkruajtur emri i Shkëlzen Berishës. Bumçi mohoi që shënimi të ishte i vërtetë dhe hodhi akuza se ajo është falsifikuar, pasi shkrimi i dorës nuk është i tij.

Sipas Bumçit, falsifikimi është bërë për të përfshirë emrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, para zgjedhjeve të vitit 2009.

“Jam thirrur si person që kam dijeni kam qenë ministër drejtësie në kohën që janë miratuar VKM-të.  Patjetër që pyetën, unë po them publikisht: qëndrimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe të miat si ministër janë të dokumentura në qëndrimet publike që kemi mbajtur atë kohë. Vendimi i propozuar nga Ministrisë së Mbrojtjes nuk miratohet, vendosen kontakte mes dy ministrive që ato të merrnin parasysh vërejtejt ligjore që ato kishin. Kjo pasqyrohet në qëndrimin zyrtar që ne i dërgojmë Ministrisë së Mbrojtjes, që ne nuk kemi vërejtje.

Përgjigja e dërguar nga ne është me datë me numër protokollit, është e saktë. Pasi i kemi çuar qëndrimin tonë zyrtar, del një shkresë që ka një shënim në anë për zotin Shkëlzen Berisha. Kjo shkresë është e falsifikuar dhe nuk i qëndron asnjë testi logjik. Ministrisë së Mbrojtjes e kishte përgjigjen tonë para shkresës. Nëse unë kisha nevojë, që s’kishte as takim as kërkesë, të komunikoja me zotin Shkëlzen Berisha, nga Ministria e Mbrojtjes?

Shënimi në cepin e shkresës…ministri i Drejtësisë lë shënime në qindra shkresa dhe këto shënime të miat janë nga shkresa të ministrisë që unë kam shkruar. Ishte qartësisht një shkrim tjetër”, tha Bumçi.

Shkresa së cilës Bumçi i referohet është një faks i nisur nga zyra e Bumçit gjatë kohës kur ishte ministër dhe mban shënimin “për zotin Shkëlzen Berisha” në anë. Në shkresë miratohet lëvizja ligjore që i përligj çmontimin e armëve në Gërec dhe i drejtohet Fatmir Mediut, i cili atë kohë ishte ministër i Mbrojtjes.

/abcnews.al/