Dita e gjykimit për Tiranën. Ditën e sotme, prej orës 14:00, presidenti Refik Halili, trajneri Emanuel Egbo, drejtori sportiv Arbi Laçi dhe futbollistët Ilion Lika e Erando Karabeci do të merren në pyetje nga anëtarët e Komisionit të Etikës.
Në FSHF “Sportradar” ka dërguar dosjen dhe hetimet vazhdojnë. Top Channel raporton se janë vendosur baste të shumta, madje me shuma që varionin nga 8 mijë deri në 15 mijë euro, një klikim. I fundit me këtë shumë nuk është pranuar.
LEXO EDHE: TEATRI NË BYLISI-TIRANA, ÇFARË NDODHI ME KOEFICIENTET
Sistemi BFDS, që përdor UEFA, e konsideron ndeshjen të trukuar, ndërkohë që bëhet fjalë që nga luajtja e basteve me kombinimet “2/1, 3+ dhe 1” janë fituar rreth 500 mijë euro. Me shumë mundësi, një gol i katërt do i kishte rritur edhe më shumë paratë e fituara nga bastvënësit. Ndër të tjera, i njëjti burim bën me dije se janë identifikuar edhe llogaritë në të cilat janë luajtur bastet.
Të enjten e shkuar, Komisioni i Etikës mori në pyetje arbitrin e ndeshjes, Juxhin Xhaja, si dhe delegatin Besnik Çela. Gjithashtu në lidhje me sfidën Bylisi-Tirana dhe anomalitë e saj kanë folur para etikës edhe Besnik Kapllanaj, Vejlko Dovedan, Valentino Murataj dhe Jurgen Goxhaj. Hetimet vijojnë./abcnews.al