Rama “pastroi” të vjetrit, Basha sfidon në të gjitha qarqet, Tom Doshi i pari në Tiranë: Partitë që dorëzuan listat në KQZ

schedule10:29 - 9 Mars, 2021

schedule 10:29 - 9 Mars, 2021

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dorëzuar mbrëmjen e së hënës vonë listat e tyre me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërsa nuk munguan debatet, PS i dorëzoi 160 emrat e propozuar në KQZ në minutat e fundit të mbylljes së afatit ligjor. Edhe PD, e miratoi listën e saj me 140 kandidatë për deputetë në KQZ, pasi u miratua pak para mesnatës nga Këshilli Kombëtar i partisë.

Ndërkohë, subjektet politike që kanë dorëzuar listat e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë:

Lëvizja për ndryshim (LN)
Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)
Lëvizja e Re (LRE)
Aleanca Demokracia e Re (ADR)
Partia Lëvizja Demokratike e Shqipërisë (PLDSH)
Partia Nisma Thurje (NTH)
Balli Kombëtar (BK)
Partia Bindja Demokratike ­(PBD)
Partia Socialdemokrate (PSD)
Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)
Koalicioni “PD – Aleanca për Ndryshim”
Koalicioni “Aleanca – AL”
Koalicioni “ABEOK”

Ajo që ra në sy në listën e dorëzuar nga PS, ishte radhitja shumë poshtë në listë e Pandeli Majkos. I vendosur nga kryeministri Edi Rama në vendin e 19-të për qarkun e Tiranës, Majko mbeti i pakënaqur dhe pas debatit në Kryesinë e PS-së nuk e pranoi vendimin. Të tjerë “të vjetër” që u vendosën poshtë në listë ishin Fatmir Xhafaj e Mimi Kodheli që mbajnë përkatësisht numrin 23 dhe 21, ndërsa Ditmir Bushati nuk figuroi askund.

Nga ana tjetër, pavarësisht reagimeve e thirrjeve të bëra disa herë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, në lista është edhe Tom Doshi, i cili do të kandidojë në Tiranë dhe në Shkodër për zgjedhjet e 25 prillit.

Edhe PSD, partia e drejtuar nga Engjëll Bejtja i dorëzoi listat e kandidatëve pak përpara se të përfundonte afati.

Në muajt që lamë pas, diplomatja amerikane ka bërë disa herë thirrje që emra si Tom Doshi nuk duhet të jenë në listën e kandidatëve në zgjedhje ndërsa theksonte se  “votuesit shqiptarë meritojnë më shumë”. Kurse, departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Doshin në “listën e zezë”,  duke i ndaluar hyrjen në SHBA. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!