Dortmundi në krye të Bundesligës

schedule22:45 - 30 Mars, 2019

schedule 22:45 - 30 Mars, 2019

Bajerni humbi kryesimin e Bundesligës gjermane pas barazimit 1-1 ndaj Frajburgut. Dortmundi arriti të fitonte në sekondat e fundit u shkëput me 2 pikë nga bavarezët

Besimi ishte i madh se faza e dytë do të ishte fitimtare. Tifozët e Bajernit, futbollistët dhe drejtuesit e klubit ishin optimistë se Dortmundi nuk do ta përballonte presionin e garës për titull, por deri tani parashikimi i tyre mbetet i gabuar.

Pas disa javësh suksesesh të pandalshme, erdhën ndalesat dhe kjo në fushën e Frajburgut ishte me pasoja. Përballë skuadrës që ka në formacion lojtarin e kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, bavarezët nuk shkuan dot më shumë se barazimi 1-1, duke mbetur dy pikë prapa Dortmundit në renditjen e Bundesligës.

Vendasit, madje, kaluan të parët në epërsi, me golin e shënuar nga Lukas Holer që në minutën e 3-të, por të paktën të besuarit e trajnerit Niko Kovaç reaguan menjëherë.

I përhershmi Robert Levandovski barazoi rezultatin pa kaluar 22 minuta dhe sërish u mendua se kampionët do të fitonin. Nuk ia dolën dhe kjo u kushtoi. Dortmundi arriti t’i merrte tri pikët ndaj Volfsburgut në fushën e vet, ndonëse e pati gjithashtu shumë të vështirë.

U deshën sekondat e fundit që sulmuesi spanjoll Pako Alkaser të shënonte dy herë. Kur duhen edhe 7 javë deri në përfundim të kampionatit, Dortmundi kryeson me 63 pikë ndaj 61 të Bajernit, dhe me shumë interes pritet përballja direkte në “Alianc Arena” të Mynihut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!