Dortmundi fiton Superkupën e Gjermanisë

schedule12:02 - 4 Gusht, 2019

schedule 12:02 - 4 Gusht, 2019

Dortmundi fitoi Superkupën e Gjermanisë duke mundur Bajernin 2-0, por fati u duk se nuk ishte me kampionët. Trajneri i bavarezëve, Niko Kovaç u shpreh se ekipi I tij dominoi, ndërsa trajneri i Dortmundit ishte i lumtur.

Rezultati mund të jetë tepër i ashpër për ata që humbën, dhe këtë duhet ta pranojnë edhe fituesit.

Superkupa e Gjermanisë u bë e Dortmundit, në një tjetër mbrëmje të paharrueshme në stadiumin “Signal Iduna Park”, apo siç kanë dëshirë ta quajnë tifozët “Vestfalenshtadion”.

Bajerni u hodh në tapet 2-0 me gola të shënuar nga Pako Alkaser dhe Xhejdon Sanço, edhe pse bavarezët dominuan fushën në Arenën kundërshtare.

Rreth 80 000 tifozë formuan “Murin e Verdhë” i cili shpërtheu në pjesën e dytë, kur erdhën golat në minutat 48 e 69, por që mbetën me “zemër në dorë” ndërsa kampionët ushtruan presion me autoritet nga fillimi deri në fund.

Bajerni mbajti topin 65 për qind, pati 16 gjuajtje drejt portës ndaj 5 të Dortmundit, si dhe pati mbi 700 pasime ndaj më pak se 400 të vendasve.

Gjithsesi, në fund vlejti rezultati dhe Borusia e trajnerit Lysien Favre mori Superkupën e parë që nga viti 2014.

“Shije e hidhur dhe e ëmbël, – titullon “Bildi”, – trajneri Niko Kovaç vlerëson lojën dhe dëshiron të harrojë humbjen ndaj Dortmundit. Kroati thotë se kemi shumë punë për të bërë”.

“Bildi” thekson më tej se kapiteni Manuel Nojer kritikoi Bajernin e tij pas humbjes, duke theksuar se ishin gabimet e shokëve të tij që i dhanë fitoren Dortmundit”.

Trajneri i Borusias, Lysien Favre, komentoi kështu.

“Ne e donim absolutisht këtë sukses, – u shpreh ai, – Bajerni ishte shumë i fortë, ashtu siç e prisnim, duke e mbajtur shumë topin, duke bërë presion. Gjithsesi, ne e përballuam trysninë, ishim të duruar dhe patëm rastet më të mira. Skuadra jonë ishte e bashkuar, dhe kjo na dha fitoren. Përsa I përket Bundesligës, Bajerni mbetet favorit, sepse nuk mund të ndryshojnë parashikimet vetëm pas një ndeshjeje”.

Po Niko Kovaç I Bajernit, çfarë ndjenjash pati?

“Me vjen keq që humbëm duke e dominuar ndeshjen, – u shpreh kroati, – ne bëmë një paraqitje të mirë, dinjitoze, edhe pse jo të përsosur. Bëmë dy gabime dhe Dortmundi përfitoi. Më vjen keq që lojtarët tanë gabuar në të dyja portat, ndërsa jam i dëshpëruar sepse doja që të fitonim. Gjithsesi, ne jemi vetëm në javën e 4-ët të punës dhe kemi ende gjëra për të përmirësuar”.

Të dyja skuadrat kishin mungesa, pasi për Borusian nuk luajtën të dëmtuarit Humels, Hazar e Brant, ndërsa për bavarezët nuk ishin Lukas Hernandez, Gnabri, Martinez e Byrki, ndërsa Pavar bëri debutimin.

Bajerni mbetet favorit për titullin në Bundesligë, ndonëse nuk e fitoi dot Superkupën për herë të katërt radhazi.

1’ Dortmundi 14’ Dortmundi 20’ Dortmundi 76’ Kimih. /ABC News Albania 24/7