Pavarësisht se kontrata i skadon në vitin 2025, e ardhmja e Jude Bellingham duket shumë larg Dortmundit, me Liverpool, Real Madrid e Manchester City, që nuk do të ndalen në merkaton e verës deri në arritjen e marrëveshjes me sensacionin 19-vjeçar të mesfushës dhe mbi këtë temë ka vendosur të flasë edhe një herë drejtori sporti i Borussia Dortmund, Sebastian Kehl.
Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, drejtori sportiv i “verdhezinjve” theksoi se BVB nuk është kontaktuar nga asnjë klub deri më sot dhe se për pasojë nuk do të kishin marrë as oferta për Bellingham, duke e lënë pa një “emër” kandidaturën për “aventurën” e re të 19-vjeçarit
“Jude ndihet shumë rehat në Borussia Dortmund. Ende nuk kemi pasur ndonjë bisedë të re apo nuk kemi marrë ndonjë ofertë për të. Ai ka edhe dy vite të tjera në kontratën e tij dhe është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij ekipi. Ne kemi nevojë për Jude për të arritur objektivat këtë sezon dhe jemi të kënaqur që ai është kaq i fokusuar te futbolli dhe që nuk ka vend për çështje të tjera në kokën e tij për momentin”,- është shprehur Kehl në fjalët e tij.
Mirëpo, në mediat gjermane vazhdojnë supozimet se Borussia Dortmund e ka vlerësuar “yllin” anglez në shifrën 150 milionë euro, shifër kjo që është lehtësisht e arritshme për shumë klube, sidomos për një lojtar me të ardhme të “ndritur” si Bellingham, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë kontakt zyrtar nga asnjë klub me “verdhezinjtë”, për kartonin e 19-vjeçarit. /i.m /abcnews.al