Dorëhiqet nëndrejtori i FBI-së një javë pas zërave se Trump e donte jashtë Byrosë

schedule22:13 - 29 Janar, 2018

schedule 22:13 - 29 Janar, 2018

Nëndrejtori i FBI-së në Shtetet e Bashkuara ka dhënë dorëheqjen. Kjo ndodh një javë pas zërave se presidenti Trump e donte atë jashtë Byrosë Federale te Hetimeve.

Nëndrejtori i përgjithshëm i FBI-së, të cilin presidenti Donald Trump e akuzoi për paragjykim politik, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave largimi i Andrew McCabe nga agjencia federale e hetimit vjen një javë pas zërave se presidenti e donte atë jashtë. Gjithashtu, javën e kaluar u raportua se kreu i shtetit ia kishte kërkuar këtë zotit McCabe gjatë një takimi të zhvilluar në Dhomën Ovale. Ndërkohë, vetë Trump ka refuzuar të komentojë këtë lëvizje gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.

McCabe mbajti përkohësisht detyrën e drejtorit të FBI-së majin e kaluar, pasi Trump shkarkoi shefin e tij James Comey. Ky i fundit ka mbikëqyrur dhe hetimin e Byrosë mbi lidhjet e përfolura të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Në gusht, Trump emëroi Christopher Wray si drejtorin e ri të FBI-së, i cili u votua nga Senati në muajin gusht. Sipas mediave amerikane, Wray së fundmi kërcënoi me dorëheqje pas presionit të ushtruar nga prokurori i përgjithshëm Jeff Sessions për të shkarkuar McCabe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!