Dorëhiqet guvernatorja e Madridit, falsifikoi diplomën

schedule22:45 - 25 Prill, 2018

schedule 22:45 - 25 Prill, 2018

Akuzat për vjedhje dhe falsifikim të diplomës kanë detyruar guvernatoren e Madridit, në Spanjë, të japë dorëheqjen. Lëvizja përbën një goditje të rëndë për partinë e kryeministrit Rahoj, e përfshirë në një sërë skandalesh.

Guvernatorja e rajonit të Madridit, në Spanjë, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për vjedhje dhe atyre për falsifikimin e diplomës së studimeve master. Kristina Sifuentes e cilësoi si një sulm me motive personale publikimin e videos së vitit 2011, që e tregon atë duke i treguar artikujt rojes së një supermarketi.

Thuhet se ajo kishte marrë dy kuti me krem kundër plakjes, me vlerë 40 euro. Ndërsa javën e kaluar, 53-vjeçarja hoqi dorë nga diploma e masterit pasi u zbulua se dy firma në dokument ishin falsifikuar. Një figurë shumë premtuese në Partinë Popullore, që aktualisht qeveris Spanjën, Sifuentes ishte ndodhur nën presion edhe nga kundërshtarët e saj politikë.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, ajo tha se kishte planifikuar të jepte dorëheqjen javën e ardhshme, por e mori më herët vendimin për shkak të akuzave. Dorëheqja e 53-vjeçares përbën një goditje të fortë për kryeministrin Mariano Rahoj, partia e të cilit është përballur me një sërë skandalesh të njëpasnjëshme.

Duke u tërhequr nga detyra, zonja Sifuentes ka shmangur mbajtjen e një mocioni mosbesimi, që mund të sillte një rotacion politik dhe rrjedhimisht kalimin e Madridit nën kontrollin e së majtës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!