Dorëheqja e Bashës, Ngjela: Po Berisha pse s’po flet? E trembën amerikanët me Alibeajn

schedule08:36 - 22 Mars, 2022

schedule 08:36 - 22 Mars, 2022

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet në selinë blu, ku Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i partisë, post që e mbante që nga vitit 2013. Deklaratat e mbështetësve të Sali Berishës për ardhjen e këtij të fundit në krye të PD, Ngjela i cilëson si komedi.

Megjithatë, avokati ndalet në një tjetër detaj. Sipas tij, që pas dorëheqjes së Bashës, Berisha nuk po artikulon më kthimin e tij si kryetar. Dhe kjo siç thotë, ai e ka një arsye: “Po Saliu pse nuk flet? Saliun e trembi politika amerikane me kryetarin e komanduar të Partinë Demokratike.”

Reagimi i plotë:  

Dje, mbas dorëheqjes së Bashës si kryetar i Partisë Demokratike, kam ndjekur komedinë serioze të të korruptuarëve, politikanë e analistë qesharakë, që nëpër stacionet e tyre televizive, ndiheshin të sigurt se Partia Demokratike do të kishte së shpejti Sali Berishën kryetar. Dhe ky pastaj, do t’i shpëtonte këta, me revolucion, të ngritur kundër lëvizjes antikorrupsion, që po zhvillon politika amerikane në Shqipëri.

Por Saliu, dhe pse po përgjon në çdo çast, ndryshe nga dje e pardje, sot nuk pati kurajë ta thoshte shprehjen: “Unë do të jem kryetari i Partisë Demokratike”.

Duhet votim, tha sot pasdite Saliu, vetëm kaq, se me këtë donte që të hynte në votim për kryetar. Por heshti e nuk foli më, pasi dëgjoi platformën politike të kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike.

Por çfarë ndodhi?

Partia Demokratike komandoi një kryetar, deputetin Enkelejd Alibeaj, dhe të gjithë të korruptuarit në darkë, të shqetësuar, llomotisnin nëpër televizione fjalë pa kuptim, dhe gjithmonë me një këmbëngulje, sipas shprehjes: “vjen Saliu në krye të Partisë Demokratike”, kërkonin të qetësonin veten.

Ishte komedi,  por dilte e tillë nga halli i të korruptuarëve që mendojnë se me Saliun tejet të korruptuar, do të shpëtonin edhe ata gjënë e vjedhur.

Por nuk ishin të sigurt.

Dhe, pikërisht për këtë, kjo ishte një komedi.

Por, kur Alibeaj, kryetari i komanduar i PD-së, dha platformën e PD-së se “nuk mund të ketë bisedime me Shtëpinë e Lirisë pa u distancuar ajo nga Saliu”, u revoltuan, dhe komedia befas erdhi dhe e gjeti veten te frika e tyre që i shtynte të flisnin budallallëqe e të na bënin edhe më për të qeshur, me ato që thoshin.

Kishte ndonjë nga të korruptuarit, nëpër emisionet televizive që, e përmendte edhe faktin që Saliu është nongrata në  Shtetet e Bashkuara,  por e kalonte shpejt nga mendja, sepse shpresën dukej që e kishin te një revolucion pro korrupsionit, që do të ndërmerrte Saliu me bandat e tij, mjafton që ky të kapë si kryetar Partinë Demokratike.

Komedi e bukur.

Por të tremburit nga antikorrupsioni e ushqenin veten se Berisha do t’i shpëtojë ata, se ai do të mundë Amerikën në Shqipëri.  Kurse Saliu nuk po flet

Po Saliu pse nuk flet?

Saliun e trembi politika amerikane me kryetarin e komanduar të Partinë Demokratike.

Por keni për të parë që komedia do të vijojë.

Po Saliu a do të flasë.

Të shohim nesër. Por e ka çorientuar kryetari i komanduar i Partisë Demokratike. Domethënë lëvizja e re e politikës amerikane në Shqipëri.

g.v/abcnews.al