Shtyhet vendimi për Donika Prelën, Komisioneri Publik: Nuk justifikon një pjesë të kursimeve familjare

schedule12:46 - 3 Shtator, 2020

schedule 12:46 - 3 Shtator, 2020

Vendimi për prokuroren Donika Prela ish-drejtuese e Prokurorisë për Krimet e Rënda, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është shtyrë në 11 shtator, në orën 10:00.

Ky vendim erdhi për shkak se trupa gjykuese në KPA kërkoi për të analizuar provat e sjella nga Donika Prela për të rrëzuar pretendimit e Komisionerit Publik.

Siç raporton për abcnews.al gazetarja Xhensila Kodra, Komisioneri Publik ka deklaruar se: “Subjekti nuk justifikon një pjesë të kursimeve familjare.”

Komisioneri Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e Prelës me argumentin se nuk provon burimin e ligjshëm për një kërkesë të pasurisë së Prelës dhe bashkëshortin e saj. Bëhet fjalë për një apartament banimi në Durrës. Sipas Ballhysës subjekti nuk provon burim të ligjshëm edhe të një llogarie bankare.

Kështu, Prela nuk justifikon dy pasuri, për një shtëpi në Tiranë dhe një tjetër në Durrës. Një pjesë të kursimeve, një hua të marrë tek djali i xhaxhait të bashkëshortit si dhe sigurimet shoqërore të mospaguara për disa muaj edhe pse punonte në një kompani ndërtimi.

Komisioneri Publik ngre si problem edhe standardet e ndryshme të hetimit të kryer nga Donika Prela për dy çështje që kanë të bëjnë me veprën penale të “drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”.

Njëri prej të akuzuarve është proceduar në arrest me burg dhe tjetri në gjendje të lirë, duke kërkuar një rivlerësim tërësor të saj në KPA.

LEXO EDHE: Donika Prela, deklarata të forta në KPA: Keni konflikt interesi, po hetoj familjarët tuaj

Në përballjen e parë me KPA-në, Prela kërkoi përjashtimin e dy anëtareve të trupës, Natasha Mulaj dhe Ina Rama.

Ndërkohë në seancën e sotme, kërkesat e Prelës nuk janë pranuar nga KPA. Natasha Mulaj dhe Ina Rama, për të cilat Prela ka thënë se ka konflikt interesi do të vijojnë të jenë pjesë e trupës.

Komisioneri Florian Ballhysa deklaroi se: “Kërkesa e Prelës për përjashtimin e Ramës është përpjekje e saj për të zvarritur dhe vonuar procesin”.

Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e kaloi fazën e parë të vettingut në Komisionin e Pavarur të Kualifimit. Megjithatë, Prela ende nuk i ka mbyllur llogaritë me drejtësinë, pasi Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK, i cili rikonfirmoi në detyrë prokuroren, duke e dërguar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.  g.v/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!