Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela ka kërkuar largimin e dy gjyqtareve Natasha Mulaj dhe Ina Rama.
Prela është paraqitur ditën e sotme në seancën e parë publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Prela kërkoi që Mulaj dhe Rama të tërhiqeshin, pasi ka konflikte interesi me to.
Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al, konkretisht, me Ramën, Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda sqaroi se konflikti qëndron në faktin se i ka hetuar mbesën, Izabela Demirajn.
Kjo e fundit, sipas Prelës ka kërkuar që të punësohet në Gjykatë si psikologe, por pas hetimeve, ajo i ka zbuluar se kishte diplomë false.
“IKP ka paraqitur ankimim në KPA për mua. Kërkoj përjashtimin e gjykatëseve Natasha Mulaj dhe Ina Rama. Kam pritur që Rama të jepte vetë dorëheqjen. Kam konlfikt interesi me të pasi kam kryer hetime për mbesën e Ina Ramës. Mbesa e Ramës ka qenë sekretare në Gjykatën e Durrësit dhe i është kërkuar plotësimi i dosjes bashkë me diplomimin. Ajo ka refuzuar edhe është larguar nga puna. Më pas ka bërë kërkesë për të punuar si psikologe në Gjykatë. E hetova dhe i zbulova diplomën e falsifikuar. Kërkova pezullimin e saj nga detyra dhe gjykata e pranoi”, tha Prela.
Ndërsa përsa i përket konfliktit me Natasha Mulajn, Donika Prela sqaroi se në mes është hetimi i vëllezërve të gjyqtares.
“Vetëm javën e fundit e kam kuptuar këtë konflikt, kështu që kërkoj edhe përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Natasha Mulaj. Nuk besoj se ju zonja Mulaj jeni në dijeni. Në vitin 2019, për një rast të ngjashëm me timin KPA vendosi të pranojë kërkesën e Natasha Mulajt”, tha Prela./abcnews.al