Domatet e modifikuara gjenetikisht ofrojnë zgjidhje për mungesën e vitaminës D

schedule22:13 - 24 Maj, 2022

schedule 22:13 - 24 Maj, 2022

Në shumë vende është teorikisht shumë e lehtë të plotësoni nevojat tuaja ditore për vitaminë D, gjithçka që ju nevojitet është 20 minuta në ditë nën diell . E megjithatë, rreth një miliard njerëz në Tokë kanë mungesë të vitaminës D, e cila rrit rrezikun e sëmundjeve të ndryshme si osteoporoza, kanceri, demenca dhe sëmundja e Parkinsonit. Falë hulumtimit të një ekipi shkencor ndërkombëtar, tani është e mundur të modifikohen gjenetikisht domatet për të prodhuar më shumë provitamin D3, pararendësin e vitaminës D3. Ekipi synon t’i bëjë këto domate një burim të ri ushqyes të vitaminës D, e cila do të ketë efekte të rëndësishme pozitive në shëndetin publik.

Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga Kathy Martin nga Qendra Kërkimore John Innes në Mbretërinë e Bashkuar, i publikoi gjetjet në revistën Nature. Sipas botimit, ata modifikuan një gjen domate që kodon një enzimë. Në këtë mënyrë ata bllokuan veprimin e enzimës, e cila normalisht e shndërron këtë vitaminë në kolesterol. Kështu, provitamina D3 tani grumbullohet në vetë domatet dhe në gjethet e bimës, pa ndikuar në rritjen apo produktivitetin e saj.

Provitamina D3 më pas mund të shndërrohet në vitaminë normale D3 nga rrezatimi artificial ultravjollcë ose mund të përdoret nga trupi i njeriut për të sintetizuar vitaminën D3 në mënyrë natyrale, domethënë pas ekspozimit ndaj rrezatimit ultravjollcë.

Nëse konvertohet në D3, sasia e provitaminës D3 në një domate të vetme është e barabartë me sasinë e kësaj vitamine që gjendet në dy vezë të mesme ose 28 gram ton. Studiuesit vlerësojnë se konsumimi i këtyre domateve të modifikuara, qoftë të plota ose në formën e lëngut të domates, do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat ditore për vitaminë D3 si tek fëmijët ashtu edhe tek të moshuarit./abcnews.al