Kampionati shqiptar i futbollit do të rifillojë me datë 3 qershor, pasi Ministria e Shëndetësisë ka dhënë dritën jeshile për zhvillimin e aktiviteteve sportive, por pa tifozë. Kështu ishte parashikuar dhe kështu ndodhi, pasi sot, FSHF ka marrë dhe një urdhër nga Ministria e Shëndetësisë.
Me anë të një urdhri të mbërritur sot në zyrat e FSHF-së, Ministria e Shëndetësisë shkroi: “Në urdhrin nr. 326, datë 15.05.2020, për kufizimin e aktiviteteve sportive, bëhet shtesa si vijon:
Pas pikës 2, shtohet pika 2/1, me përmbajtje: “2/1 – Lejohet kampionati i futbollit, pa spektatorë”. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe fillon efektet me datë 01.06.2020”.
Kategoria Superiore rinis në datë 3 qershor, ditën e mërkurë, ndërsa katër ditë më vonë rifillojnë Kategoria e Parë dhe e Dytë. Më pas është radha e futbollit të moshave, që do të rifillojnë në datë 14 qershor./abcnews.al