Nga kjo e enjte nis zyrtarisht zbatimi i sistemit 41-Bis, me izolimin e 7 personave të akuzuar për vepra të rënda penale.
Në regjimin e posaçëm, të parët që do të izolohen janë Emiljano Shullazi, dhe 4 anëtarët e grupit të tij, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endri Qyqja dhe Endri Zela; si dhe Arbjon Aliko e Genci Balla.
Grupi i Emiljano Shullazit është dënuar nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda për disa vepra penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërsa tashmë prej më shumë se sa një vit procesi ndaj tyre ka ngecur në apelin e gjykatës së posaçme. Arbjon Aliko nga Lazarati është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Bashës.
Kurse Geci Balla, i dënuar me 14 vite burg për akte terroriste, duke rekrutuar të rinj me qëllim për t’i bërë pjesë të ISIS-it.
Lista e parë me emrat e tyre është firmosur nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, prokurorja Elisabeta Ymeraj dhe kreu i SPAK, Arben Kraja.
Tashmë, me izolimin e tyre në një regjim të posaçëm, 7 të akuzuarit do të kenë kufizim të të drejtave me qëllim parandalimin e kontakteve që ata kanë me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera aleate; konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare; si dhe ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë.
Dhomat e izolimit janë përgatitur në dy institucione të vuajtjes së dënimit.
Në burgun Jordan Misja 313, për personat që nuk kanë ende një vendim të formës së prerë dhe në burgu e sigurisë së lartë në Peqin për personat me vendim të formës së prerë.
Ata pritet të qëndrojnë për një vit në izolim, duke pasur edhe reduktim të takimeve me të afërmit apo familjarë të tyre, reduktim të telefonatave, si dhe vëzhgim 24 orë me kamera sigurie.
Personat nën regjimin e posaçëm:
Emiljano Shullazi
Blerim Shullazi
Gilmando Dani
Endrit Qyqja
Endrit Zela
Arbjon Aliko
Genci Balla
/abcnews.al