Dokumenti i “Shpalljes së Pavarësisë” i zhdukur, avokati kallëzim në SPAK: Të merren në pyetje të gjithë!

schedule17:23 - 4 Shtator, 2020

schedule 17:23 - 4 Shtator, 2020

Avokati Kujtim Cakrani ka depozituar në SPAK një kallëzim ku denoncon humbjen e dokumentit origjinal të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912.

Nisma e avokatit, ndikohet padyshim dhe nga fakti se paraardhësi i tij, Hajredin bej Cakrani, është një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë.

Sipas avokatit, përgjegjëse për humbjen e këtij dokumenti janë institucionet shtetërore.

I ftuar në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo, avokat Cakrani tha se për zbardhjen e kësaj çështje, duhet të merren në pyetje të gjithë drejtuesit, dhe ish-drejtuesit e arkivit të shtetit, Bankës së Shqipërisë, si dhe personat që kanë dijeni në Akademinë e shkencave, duke vijuar edhe me familjarët e kupolës drejtuese të shtetit komunist.

Në fakt Cakrani sipas kallëzimit të tij mbështetet në nenin 283 të Kodit të Procedurës Penale, i cili i njeh të drejtën çdo qytetari që ka rënë në dijeni të një krimi, ta kallëzojë atë, gjithashtu neni 248 i Kodit Penal, në të cilin sanksionohet “Abuzimi me detyrën”.

I pyetur nga gazetari Xhafo se si lindi kjo ide në këtë moment pas kaq vitesh, Cakrani u shpreh:

“Së pari ju falënderoj për mundësinë që më dhatë në mënyrë që ata që na dëgjojnë, të kuptojnë për Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe pse ajo ka humbur. Përveç detyrimit ligjor që kam të përcaktuar në Kodin e Procedurës për të denoncuar çdo vepër penale që unë bie në dijeni e kam bërë edhe për faktin se jam person i interesuar pasi të parët e mi kanë qenë firmëtarë pavarësie, kanë qenë ministra.

Bektash Cakrani ka qenë ministër i thesarit, Hajredin Cakrani ka qenë firmëtar pavarësie. Ka përfaqësuar Fierin dhe Mallakastrën, e të tjera poste drejtuese. Unë jam stërnip i tyre. Kam bërë kërkimet e mia, dhe kam informacionet e mia nga personat të cilët kanë administruar dokumenta shtetërorë, por edhe artikuj të ndryshëm të viteve ‘45-46 dhe nga persona të cilët kanë jetuar në ato kohëra.

Ne jemi rritur me Deklaratën e Pavarësisë të retrushuar, dhe të tjetërsuar ku kanë hequr shumë emra, firmëtar të Deklaratës origjinale. Kam biseduar me zonjën Ana Këlcyra në Austri dhe ajo më ka shpjeguar shumë gjëra me detaje për Deklaratën e Pavarësisë.

I ati i saj Ali Bej Këlcyra ka qenë personazh që e njohin të gjithë, politikan që ka qenë mik me Lef Nosin. Ajo më ka thënë se në vitin 1937 Deklarata e Pavarësisë ka ekzistuar, që do të thotë se për 25 vjetorin kur është festuar në kohën e Mbretërisë në mënyrë madhështore.

Lef Nosi ka qenë personi i cili përvecse firmëtar ka qenë edhe ministër, por edhe personi që ka administruar të gjithë dokumentacionin  e vitit 1912. Kam mësuar se Z. Nosi deklaratën e Pavarësisë e ka depozituar në një nga kasetat e Bankës së Shqipërisë për ta ruajtur atë.

Me hyrjen e komunistëve në Tiranë në 1944 sipas informacioneve është kontrolluar Banka e Shqipërisë dhe janë marrë prej aty. Jam konsultuar me historianë dhe kam mësuar se në 1945 një vapor me shumë dokumenta të shtetit shqiptar, kanë shkuar në Beograd përmes Malit të Zi.

Pse mos të mendojmë dhe ta orientojmë organin e akuzës për një bashkëpunim edhe me arkivat serbe, kjo do ishte një gjë shumë e mirë. Natyrisht kërkohet edhe një ndërhyrje politike dhe duke qenë se kryeministri ynë ka marrëdhënie shumë të mira me kryeministrin Vuçiç, mundet të ndërhyhet dhe të ketë një zgjidhje në mënyrë sa më të drejtë.

ë kallëzimin tim kam thënë se deklarata e pavarësisë mund të jetë administruar edhe nga familja e diktatorit meqë atëherë kontrollonte çdo gjë. ” deklaroi Cakrani.

Sipas kallëzuesit, institucioni i akuzës e ka detyrim ligjor dhe moral gjetjen e Deklaratës së Pavarësisë pasi ajo është certifikata e pronësisë së shtetit Shqiptar.

“Në kompetencën e SPAK janë të gjithë çështjet që janë të përfshirë institucionet shtetërore. Pikërisht mund të jetë edhe një organizatë kriminale. Deklarata e pavarësisë është çertifikata e shtetit shqiptar, si mund të kemi një shtëpi pa çertifikatë.

 Shpresoj që SPAK ta regjistrojë hetimin dhe natyrisht të pyesë të gjithë personat duke filluar që prej vitit 1945, pasardhësit e tyre etj. Përgjegjësit janë institucione dhe jo individë. Institucionet janë kompetencë e SPAK. Nuk kërkoj merita për këtë, kjo është deklaratë e të gjithë shqiptarëve anë e mbanë”.

Në kallëzimin dhe materialin e depozituar tashmë në SPAK, avokat Cakrani thotë se gjatë kësaj periudhe, asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka pasur interes të hetojë, apo të denoncojë humbjen e njërit prej dokumenteve më të rëndësishme të vendit. Drejtuesit, kushdoqofshin ata duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore për këtë çështje.

Për Deklaratën origjinale të Pavarësisë së shtetit shqiptar e cila u firmos nga disa atdhetarë mes tyre Ismail Qemali, në 28 nëntor 1912, zëra të ndryshëm janë shprehur se gjendet në arkivat serbe për shkakun se një nga djemtë e Ismail Qemalit, që dëshmohet se e posedonte, jetoi dhe mbylli jetën në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë.

N.D./abcnews.al