DOKUMENTI/ “Dosja 339”, urdhër-arrestet e SPAK për krimet zgjedhore, në Shijak e Durrës

schedule10:30 - 28 Korrik, 2020

schedule 10:30 - 28 Korrik, 2020

GJKKO (Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ka lëshuar 22 urdhër-arreste për dosjen 339.

ABC News ka mësuar emrat e të arrestuarve në kuadër të hetimit të “dosjes 339”.

LEXO edhe: Dosja 339, SPAK lëshon 22 urdhër arreste, mes tyre funksionarë lokalë

Ata janë komisionerë nën akuzë për “votim më shumë se një herë pa u identifikuar”.

Në njoftimin e saj Prokuroria e Posaçme thotë se:

“Nga aktet e administruara në funksion të hetimit të procedimit penal nr. 29  të vitit 2019 është konfirmuar gjithashtu se gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2017 se:

Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Bida, Emiljan Tuda, Redi Hysa kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur para tyre dhe kanë votuar me erma të votuesve të tjerë.

Bashkim Alushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Ruci, Zyhra Lala, Qemal Domi, Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Orjada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, Armelind Zeza ka votuar në emër të votuesve të tjerë duke konsumuar veprën penale votim  më shumë se 1 herë ose i paidentifikuar”, shkruan Prokuroria”.

Zonat që prokuroria përmend në njoftimin e saj i përkasin zonave të Shijakut, Durrësit dhe njësisë administrative Gjepalaj.

Në qershor të vitit 2019 për llogari të “dosjes 339”, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Arkivit  Qendror të Shtetit u sekuestruan materialet zgjedhore të dy qendrave të votimit në Shijak, ku dyshohet të jetë kryer korrupsion zgjedhor.

Prokuroria për Krimet e Rënda sekuestroi një pjesë  të materialeve zgjedhore të vitit 2017 të bashkisë së Shijakut.

Siç ka mësuar eksluzivisht ABC News, në 6 qershor, dy prokurorët e dosjes 339, Vladimir  Mara dhe Dritan Prençi firmosën vendimin për sekuestrimin e këtyre materialeve, me dyshimin se aty është bërë shitbjerje votash si dhe është përdorur funksioni shtetëror për fushatë.

“Nga hetimet proaktive të kryera me metoda speciale hetimi, si përgjimet telefonike, ambientale dhe vëzhgime, ka rezultuar se një grupe personash vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Në funksion të kësaj çështjeje penale ka rezultuar se ka dyshime për kryerjen e veprave penale “korrupsion aktiv dhe passiv  ne zgjedhjeve” si dhe përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, thuhet në dokument.

Prokurorët nuk përmendin në dokumentin e siguruar nga ABC News emra të zyrtarëve të dyshuar se mund të kenë kryer këto penale, por ata janë konkretë në zonat zgjedhore ku i kanë dyshimet.

“Në funksion të hetimit të kësaj çështjeje, është e domosdoshme sekuestrimi i dokumentacionit zgjedhor, që janë listat emërore të zgjedhësve dhe listat emërore të personave që kanë marrë pjesë në Komisionet Zgjedhore të Qendrave të  Votimit në Zonat Zgjedhore që kanë përfshirë fshatrat Rrubjek, Shijak Durrës dhe Shetel, njësia administrative  Gjepalaj, Shijak, Durrës.

Gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, datë 25.6.2017.”

Sekuestrimi i këtyre materialeve është bërë pranë Arkivit Qendror të Shtetit, aty ku KQZ i ka dorëzuar materialet e zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Dosja 339 është një nga dosjet më të nxehta të politikës, ku opozita  akuzon zyrtarë  të lartë socialistë, përfshirë dhe Vangjush Dakon, se janë përfshirë në shitblerje votash me ndihmën e grupeve kriminale./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!