DOKUMENT/ “I dënuar për armë pa leje”, Prokurori Fusha shpëton Agron Malajn

schedule14:44 - 22 Janar, 2020

schedule 14:44 - 22 Janar, 2020

Prokuroria e Përgjithshme e ka verifikuar kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj dhe e ka shpëtuar nga shkarkimi. ABC News siguron një vendim të prokurorit Petrit Fusha, i cili ka vlerësuar se mbajtja e armës pa leje, meqë është bërë në vitin 1999, nuk e pengon Malajn përjetësisht, por ai mund të vazhdojë detyrën, sepse është rehabilituar.

Disa vepra penale e ndalojnë një person përjetësisht të ushtrojë funksione publike. Armëmbajtja pa leje në mjediset publike nuk e lejon një person të zgjidhet deputet apo kryetar bashkie. Këtë argument Partia Demokratike e ngriti ndaj kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj i cili ishte dënuar në vitin 1999 për armëmbajtje.

PD i kërkoi prokurorisë ta verifikojë këtë rast përmes sektorit të dekriminalizimit. Por, prokuroria e ka bërë një herë këtë gjë. ABC Neës ka siguruar këtë dokument, të vitit 2017, që mban firmën e prokurorit të atëhershëm, Petrit Fusha.

Asokohe, Agron Malaj ka qenë drejtor i OSHEE-së në Dibër, dhe Drejtoria e Adminsitratës Publike i ka kërkuar prokurorisë ta verifikojë në lidhje me dënimin e vitit 1999.

Prokurori Petrit Fusha, ka dalë në konkluzionin se Agron Malaj, prekej nga ligji i dekriminalizimit, por ishte rehabilituar. Duke qenë se Kodi Penal në vitin 1999 kur është dënuar Malaj, ishte ndryshe nga formulimi kur ligji i dekriminalizimit u miratua, atëherë Prokuroria i tha DAP=it, se Malaj ishte rehabilituar.

Ai e mbajti detyrën si drejtor i OSHEE-së, dhe më pas mori dhe detyrën si kryebashkiak sepse edhe KQZ argumentoi po një lloj.

Në këto kushte, përvarësisht kërkesave të PD-së, kjo cështje mund të quhet e mbyllur, sepse pavarësisht hijeve të dyshimta të argumenteve juridike, edhe Prokuroria edhe KQZ-ja e kanë hetuar më herët këtë rast dhe kanë marrë vendim në favor të kryebashkiakut të Matit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!