Qeveria do të rishikojë kuadrin ligjor për arsimin e lartë për ta përafruar atë me direktivat e Bashkimit Europian.
I pranishëm në prezantimin e dokumentit të politikave të arsimit të lartë 2030, sëbashku me ministren Ogerta Manastirliu, kreu i qeverisë foli për më shumë benefite per universitetet.
“Do duhet një punë e përbashkët po kaq intensive për adresimet e duhura në ligjin e arsimit të lartë. Ka kaluar koha e nevojshme për të rishikuar kuadrin ligjor. Kemi thyer murin ndarës të vendeve të BE dhe atyre që janë jashtë BE-së. Shqipëria ka qenë pararojë e kësaj beteje. Në samitin këtu në tiranë, u vendos që edhe për universitetet jashtë BE-së të hapet mundësia e futjes në aleancën e universiteteve”.
Plani i ri i veprimit thotë Rama parashikon më shumë fonde ndonese sfidë mbetet rritja e cilësisë së stafit pedagogjik.
“Kemi zgjeruar bazën dyfish për arsimin e lartë, ndërkohë që kemi pesëfishuar bazën financiare për kërkimin shkencor, flas për buxhetin, përtej atyre që kanë mundur të përfitojnë universitetet. E vërteta është që nga sa mund të vërejmë edhe ne së jashtmi, nuk bëhet një sforco e mjaftueshme për rritjen e cilësisë së stafit akademik. Pra, patjetër që ne të gjithë, ju në radhë të parë, ne në mbështetjen tuaj jemi në funksion të rritjes së cilësisë së studentëve, por rritja e cilësisë së studentëve kalon medoemos përmes rritjes së cilësisë së stafit akademik”.
Sipas kreut të qeverisë, përfshirja e inteligjencës artificiale në universitete është një domoshmëri.
Ambicia e radhës e qeverisë është që deri në 2030, diplomat e universitetit bujqësor të jene njësoj me diplomat e BOKUT në Vjenë./abcnews.al


