Dogjën mandatet, PD-LSI në vështirësi për të kandiduar, mbledhin firma për t’u kthyer në Kuvend

schedule15:07 - 20 Janar, 2021

schedule 15:07 - 20 Janar, 2021

Nga Esiona Konomi

E braktisën parlamentin duke djegur mandatet, por tashmë që duhet të rikthehen, PD dhe LSI duhet të mbledhin secila nga 5 mijë firma mbështetësish. Për këtë, të dy partitë kryesore opozitare kanë marrë formularët nga KQZ dhe kanë nisur mbledhjen e firmave në terren, me qëllim që të depozitojnë listën e kandidatëve për 25 prillin.

Kodi Zgjedhor thotë se të drejtën për të sjellë kandidatë e kanë ato parti që kanë të paktën 1 mandat deputeti në 6 muajt e fundit. PD dhe LSI nuk e njohin Kuvendin, por pavarësisht kësaj, këtë javë, Korab Lita është vetëdeklaruar si i Partisë Demokratike, ndërsa Gjetan Gjetani si deputet i LSI-së.

Këto vetëdeklarime mjaftojnë që dy partitë të shkojnë direkt në KQZ për të kandiduar, por PD dhe LSI duan të konfirmojnë krenarinë e tyre për aksionin e djegies së mandateve, ndaj kanë marrë këtë formular dhe po mbledhin firmat.

Ndërkohë, 11 parti të tjera, përfshirë dhe Bindjen Demokratike dhe Nismën Thurje, nuk do ta kenë të nevojshme të mbledhin firma, pasi kandidimin jua lehtëson pikërisht deklarimi i deputetëve të opozitës së re se i përkasin një partie të caktuar.

Partitë kanë afat të rregjistrohen në KQZ deri në 15 shkurt. Dy javë më pas, deri në 24 shkurt, duhet të zyrtarizohen marrëveshjet e koalicioneve. Koalicion, sipas ligjit të ri, do të thotë gjithnjë një listë e përbashkët kandidatësh e partive pjesëmarrëse. Kjo listë shumë emërore e renditur sipas preferencës së kryetarit të partisë apo udhëheqësit të koalicionit, duhet dorëzuar në KQZ brenda datës 7 mars./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!