Policia dhe dogana në Kakavijë mëngjesin e të shtunës goditën një tentativë për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Autoritetet gjetën dhe sekuestruan rreth 350 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis.
Lënda narkotike e ndarë në 166 pako ishte fshehur në një kampioni i cili po tentonte të kalonte në shtetin fqinj.
Kamioni drejtohej nga Emanuel Qamo. 33 vjeçari me banim në Tiranë është vënë në prangat e policisë.
Policia kaloi në kontroll të detajuar kamionin, fillimisht në skaner dhe më pas në vijën e dytë në dalje, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Nga kontrolli i imtësishëm, në dyshemenë e kamionit zbuloi që ishte krijuar një vend i posaçëm. Poshtë shtresës së tij gjeti rreth 166 pako brenda të cilave kishtë lëndë narkotike të dyshuar kanabis.
Policia arrestoi në flagrance shoferin e kamionit Emanuel Qamo dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës po vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua kamioni dhe rreth 350 kilogramë lëndë narkotike.


