Detaje të reja janë zbuluar nga masakra me 4 viktima në Dobraç të Shkodrës.
Dyshohet se dy javë më parë policia ka arrestuar në Shkodër personin që kishte vjedhur makinën tip “Range Rover Sport” në Durrës që u përdor nga autorët e krimit dhe u dogj pas vrasjes.
Arrestimi i tij është mbajtur i fshehtë nga grupi hetimor me pretendimin mund t’i ndihmojë ata në zbardhjen e vrasjes, megjithëse informacioni nuk është konfirmuar nga Policia e Shkodrës.
Autori i vjedhjes së makinës është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka djeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por në asnjë moment ka pranuar të japë deklarime.
“Personi i cili dyshohet se është arrestuar si autor i vjedhjes së automjetit, është ndaluar rreth dy javë më parë. Është mbajtur sekret nga ana e policisë. Janë burime nga policia, por nuk janë të konfirmuara. Është ngjarje mjaft komplekse. Informacioni nuk është i konfirmuar plotësisht. Personi për të cilin flitet si autor i vjedhjes së “Range Rover, nuk kemi njoftim zyrtar. Nuk kemi konfirmim se kemi të bëjmë me një të ndaluar dy javë më parë”, raportoi ndër të tjera, gazetari i ABC News, Simon Shkreli./abcnews.al