Katër efektivët e forcave “Shqiponja” të arrestuar pak ditë më parë në Shkodër, u lanë të lirë këtë të premte nga Gjykata. Efektivët e arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me masakrën me 4 viktima në Shkodër, mes tyre 2 qytetarë të pafajshëm.
Gjykata e Shkodrës caktoi masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘pezullim nga detyra’ për efektivët Blerim Kurmetaj, Viktor Logu, Juljan Sterkaj. Marta Martini.
Ata dyshohet se nuk siguruan vendin e ngjarjes për shoqërimin e personave për verifikim.
I gjithë hetimi i AMP-së nisi pas publikimit të një videoje ku shfaqet një person që dyshohet se është Ibrahim Lici, pranë trupit të pajetë të vëllait Hamza Lici, ku aty gjendet edhe një polic i Shqiponjave.
Personi i tretë në makinën e viktimave, ende enigmatik e që mbeti i plagosur me 2 plumba në masakrën e Dobraçit, mendohet të ishte shënjestra kryesore e atentatorëve, mund të ketë lëvizur nga Shkodra në jug të vendit, për t’u mjekuar.
Atentati me 4 viktima, në mesin e të cilëve 2 të pafajshëm, Flutura dhe Bashkim Basha, vijon të jetë akoma i pazbardhur, ndërsa hetimin për të e ka marrë Prokuroria e Posaçme për grup të strukturuar kriminal../abcnews.al