Do të uleshe në tryezë me Ramën? Basha: Nuk bëj politikë me pandeminë

schedule13:22 - 25 Nëntor, 2020

schedule 13:22 - 25 Nëntor, 2020

Nga Shkodra, ku zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, kreu i PD, Lulzim Basha akuzoi edhe njëherë qeverinë.

Basha tha se edhe në këtë situatë të vështirë Shkodra është braktisur nga qeveria. Kryedemokrati theksoi po ashtu se dje është shënuar numri më i lartë i vdekjeve, por shifra reale sipas tij është më e lartë.

“Është kënaqësi të ndodhem përsëri në qytetin tuaj të mrekullueshëm. Jam shumë i trishtuar nga nje realitet. Edhe në situatën e pandemisë qeveria ka braktisur Shkodrën. Dje kemi pasur numrin më të madh të vdekjeve dhe shifrat që fshihen nga Rama janë më të këqija. Ka vetëm fjalë dhe asnjë veprim. Kësaj situate i jepet përgjigje me veprime të vendosura.

Këtu në Shkodër numri i infektimeve është shumë i lartë. Përballja po bëhet vetëm me sakrificën e mjekëve. Kjo është gjendje kolapsi. Nuk ka pse të jetë kështu. Ne do të ndërtojmë një qeveri funksionale në shërbim të qytetarëve. Do të rikthejmë një shpresë të re”, tha Basha.

Kreu i demokratëve u pyet nga gazetarët nëse do të pranonte të ulej në tryezë me kryeministrin Edi Rama për situatën e pandemisë. Lidhur me këtë Basha tha se asnjë ditë nuk ka bërë politikë me pandeminë, ndërsa theksoi se propozimet e opozitës nuk janë dëgjuar.

“Për asnjë ditë të vetme PD dhe unë nuk kemi bërë politikë me pandeminë. Jemi të parët që kemi propozuar p,anin. Është e qartë se ata që kanë përgjegjësinë për të ndihmuar njerëzit nuk po bëjnë këtë, por duan të heqin vëmendjen nga pandemia. Unë kurrë politikën nuk e kam parë si qëllim në vetvete, Mendoj se edhe në opozitë mund tu shërbejnë njerëzve. Por të na kishin dëgjuar të jeni të sigurt se edhe gjendja e infeksioneve nuk do ishte kështu. Për rrjedhojë edhe numri i të sëmurëve. Gjendja nuk përballet duke u fshehur pas gishtit. Të gjithë e dimë që numri i atyre që humbin jetën në spitale por edhe jashtë është shumë i madh. Të shkunden nga propaganda. Pyetja që shtroj sot është edhe sa njerëz duhet të vdesin dhe sëmuren?”, theksoi kryedemokrati.

I pyetur nëse do ta këshillonte Monika Kryemadhin dhe aleatët e tij për të mbajtur maskën, Basha tha shkurt: “Apeli im është ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Apeli im është shembulli im që prej ditës së parë”. g.v/abcnews.al