“Do ju thyejmë këmbët”, tërbohen tifozët rumunë, presidenti kërcënon ekipin

schedule13:34 - 30 Korrik, 2021

schedule 13:34 - 30 Korrik, 2021

Laçi eliminoi Univ Craiova në raundin e dytë të Conference League. Arritje e madhe e ekipit kurbinas, që siguroi për herë të parë në histori kalimin në raundin e tretë të një kompeticioni evropian.

0-0 përfundoi ndeshja e luajtur në Rumani, dhe skuadra e Shpëtim Duros u kualifikua pas triumfit 1-0 në sfidën e parë që u luajt në “Elbasan Arena”.

Eliminimi është përjetuar keq në kampin kundërshtar. Tifozët ishin të dënuar për të ndjekur nga afër Craiovën në stadium. Gjithsesi, një numër ultrasish rumunë kanë reaguar keq jashtë ambienteve të stadiumit.

Univ Craiova nuk shënoi asnjë gol në dy takimet ndaj ekipit shqiptar, teksa tifozët kërcënuan lojtarët e ekipit të tyre të zemrës për paraqitjen e dobët dhe largimin nga kompeticioni evropian.

Merrni mijëra euro në muaj. Turp për ju! Do vijmë nga pas kudo të shkoni. Do vijmë edhe në Botosani, por do ju thyejmë këmbët“, ishin disa nga fjalët e tyre kundrejt lojtarëve të Univ Craiova.

https://streamable.com/i6nxst

I trishtuar edhe presidenti i nënkampionëve të Rumanisë, i cili nuk e fshehu zhgënjimin e madh në prononcimin e dhënë pas barazimit pa gola me ekipin kurbinas.

U largova në minutat e fundit të ndeshjes, nuk e pashë më ndeshjen. Kemi qenë favoritët dhe mbase nuk dinim si të luanim nga kjo pozitë. Është e vështirë për mua të gjej shpjegime në analizat që kam bërë.

Është e rëndësishme të nxirren disa përfundime sa më të rëndësishme që të jetë e mundur, ndoshta edhe radikale për sa i përket grupit të lojtarëve.

Jam i bindur se edhe futbollistët janë shumë të prekur. Është një kohë që kërkon masa të caktuara. Unë thashë se është turp nëse nuk kualifikohemi. Ky është një problem!

Kishim shumë mundësi në ndeshjen e parë, nuk e kuptova se si humbëm në Shqipëri. Askush nuk u mërzit se mund të ishte 2-0, 3-0 për ne“, deklaroi Sorin Cartu, presidenti i Universitatea Craiova, i cili mban këtë post prej dy vitesh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!