Serbët e Australisë kanë shkuar pranë hotelit ku po mbahet i ngujuar Novak Djokovici për ta mbështetur bashkatdhetarin e vet të cilit iu ndalua hyrja në shtetin e Oqeanisë, por s’janë duruar pa e futur Kosovën edhe në këtë rrëmujë.
Tenisti serb është duke u mbajtur në Park Hotel, një ndërtesë që përdoret nga Qeveria e Australisë për ndalimin e emigrantëve në vend, pasi atij iu refuzua hyrja në Australi të mërkurën, raporton Gazeta Express.
Djokovic nuk u lejua të futet në Australi për të marrë pjesë në turneun grand slam, Australian Open 2022, pasi autoritetet e këtij vendi thanë se ai nuk i kishte plotësuar kërkesat për Covid-19.
34-vjeçari do të qëndrojë në Park Hotel deri të hënën, kur gjykata e Melbourne do ta marrë vendimin ndaj ankesës së tij kundër dënimit nga Australia.
Të inatosur dhe tërbuar që bashkatdhetari i tyre nuk po lejohet të marrë pjesë në grand slamin e parë të vitit, serbët kanë kënduar këngë nacionaliste për Kosovën duke e mbështetur atë pranë hotelit ku po mbahet i ngujuar.
“Nga do që të shkoj përsëri kthehem tek ti, askush nuk mund të ma rrëmbejë Kosovën nga shpirti im”, është refreni i këngës së flokut serb “Vidovdan” nga i njëjti album i këngëtares Gordana Lazarević, i publikuar në vitin 1989.
Kjo këngë e Lazarevic u frymëzuar nga Beteja e Kosovës më 1939, për të cilën serbët pretendojnë se ishte betejë e tyre kundër pushtuesit të atëhershëm Osman.
Australian Open 2022 do të nisë më 17 shkurt dhe Djokovic nuk do të mundë ta mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar, i cili ishte i nënti rekord për të, pasi pritet të dëbohet të hënën. /Gazeta Express/