Djarmati: I heshtëm kritikët, puna si drejtues më ka mësuar diçka thelbësore

schedule22:56 - 31 Maj, 2021

schedule 22:56 - 31 Maj, 2021

Matko Djarmati nuk e harron momentin kur Alban Xhaferi e mori në telefon verën e vitit të kaluar dhe i ofroi postin e drejtorit sportiv të Vllaznia. Kroati, i cili ka luajtur me disa ekipe në Superiore, ka bërë një punë fantastike dhe sot ndihet krenar që ia ka dalë, pavarësisht kritikave, skepticizmit dhe problemeve gjatë sezonit.

Nuk do e harroj kurrë kur më mori Xhaferi në telefon dhe më tha që jemi të interesuar për të pasur si drejtor sportiv. Më parë kishte telefonuar edhe profesor Hafizin për të marrë një mendim, ai i kishte sugjeruar emrin tim.

E kemi humbur kampionatin për 3 gola, tani kemi fituar Kupën. E kemi krijuar gjithçka nga zero. Kërko çfarë të duash nga lojtarët, por nga puna si futbollist dhe drejtor kam mësuar se lojtarëve u duhen plotësuar kushtet.

Në një fazë të kampionatit, këto nuk i kishim dhe hymë në krizë. Po të kishim kushte më të mira, do kishim fituar edhe kampionatin. Unë jam drejtor sportiv dhe kurrë në jetë nuk kisha synim të isha trajner te Vllaznia.

Në Shqipëri mendojnë se kush vjen drejtor sportiv është edhe trajner, por mua nuk më intereson kjo punë. Kemi një lidhje shumë të ngushtë me Brdariç, Plorin dhe Osjen. Kemi një bashkëpunim perfekt, nga dita e parë deri më sot.

Edhe në ditën më të vështirë të sezonit ishim në sinkron bashkë. Rinovimi? Nëse janë të interesuar drejtuesit do të rinovojmë, patjetër me kushte më të mira. Nuk e kam fjalën nga ana financiare, por sportive. Sepse fitimi i Kupës nuk shpërblehet me lekë.

Nuk do harroj kurrë kur kemi ndërtuar ekipin pas 5-6 javëve. Kaq shumë kritika kishte në llogarinë tonë, për mua personalisht dhe për trajnerin, mendonin se do dilnim nga kategoria. Sot jemi këtu ku jemi. Kemi përgjigje për të gjithë ata skeptikët, se ku jemi sot dhe ku ishim para 9 muajve“, përfundoi Djarmati. /abcnews.al